Manipulimi i votave në Venezuelë, hetim ndaj “KQZ”

03/08/2017 00:00

Kryeprokurorja e Venezuelës, Luisa Ortega hapi një hetim pas pretendimeve për manipulime në zgjedhjet e së dielës ku u votua për asamblenë e re kushtetuese që do të rishkruajë kushtetutën.

Ortega, një kritike e ashpër e presidentit Nicolas Maduro, bëri thirrje për një audit të pavarur të votës. Kryeprokurorja tha se ka caktuar dy prokurorë që të hetojnë katër nga pesë drejtuesit e këshillimit kombëtar elektoral, për këtë akt skandaloz që mund të gjenerojë edhe më shumë dhunë në vendin e zhytur në kaos.

Ndërsa katër drejtorët nën hetim janë aleatë të Maduros, i pesti është kritik i tij dhe ka denoncuar parregullsitë në procesin zgjedhor, diçka që e bën të panevojshëm hetimin e tij.

Lëvizja e kryeprokurores Ortega erdhi pak orë pasi kompania që siguroi makineritë për votimin elektronik në Venezuelë tha se shifrat e pjesëmarrjes janë fryrë nga autoritetet me të paktën 1 milion votues.

Sigurisht që vetë presidenti Maduro, ashtu siç pritej, hodhi poshtë pretendimet e Smartmatic, një kompani që sipas tij i bindet SHBA.

Nuk është e qartë nëse hetimi i kryeprokuroes do të kryhet, pasi autoritetet i kanë ndaluar shpesh nismat e saj, sepse ajo nuk mbështet presidentin Maduro, i cili një gjë e ka bërë mjaft të qartë: u lodh duke  e torturuar demokracinë dhe me manipulimin e zgjedhjeve e vrau atë.

Top Channel