Energjia nga dielli, qeveria garant për blerjen

08/07/2017 00:00

Që vendi të mos përballet në periudhë thatësirash me koston e lartë e të blerjes së energjisë nga importi, qeveria po nxit diversifikimin e burimeve për prodhimin e energjisë, për të zbutur varësinë 100 % nga uji.

Ministria e Energjisë thotë se për shkak të klimës, rendimentin më të lartë e ka energjia diellore. Kërkesat e para për prodhues deri në 2 megavat ose sa një hidrocentral i vogël kanë mbërritur.

“Ministria ka regjistruar mbi 10 subjekte për dhënien e autorizimeve në mënyrë të përshpejtuar. Nëse procesi vijon normalisht, fillimi i vitit që vjen ose në këtë kohë vitin tjetër do ti kemi të instaluara”, tha Entela Cipa, Ministria Energjise dhe Industrisë.

Për këto investime, qeveria garanton blerjen e energjisë me një cmim që do të përcaktohet nga ERE. Ndërsa për investime më të mëdha ofrohet dhe asistenca teknike e financiare e Berzh.

“Kalojnë përmes ankandit, berzh do të asistojë 60 % të investimit, bëhet fjalë për 30 50 mega”, thotë Cipa.

Më shumë kohë do të kërkojnë investimet e para në prodhimin nga era sic është parku eolik në Tepelenë. “Është pak më e vështirë sepse kërkon matje për 1 deri në 2 vjet për llogaritjen e erës”, thotë ajo më tej.

Ndërsa brenda vitit 2020 kur dhe nis punën gazsjellësi Trans Adriatik, qeveria synon të gjendet investimi për të vënë në punë TEC-in e Vlorës përmes gazit natyror.

Top Channel