Gramoz Ruci i kërkon Ilir Metës që të jetë president i Shqipërisë dhe jo i LSI-së.
“Përfaqësuesit e LSI-së mendojnë se ne kemi zgjedhur president për të përfaqësuar LSI-në në presidencë. Po të ishte për LSI-në, kishim zgjedhur një të PS-së ne. Pra gabohen rëndë dhe e kompromentojnë rëndë presidentin, në qoftë se nuk ju ka thënë ai, po me siguri ju ka thënë ai, që të marrë vesh LSI-ja dhe Ilir Meta, njëherë e mirë, se në presidencë duhet të vejë presidenti i Shqipërisë dhe jo presidenti i LSI-së”, tha Ruçi.
Ndërkohë ministri i jashtëm, Ditmir Bushati thotë se kjo fushatë është më e qeta dhe më e pa polarizuara, falë marrëveshjes PS-PD, por ajo thotë Bushati, po kthehet dita ditës në një fushatë të presidentit të zgjedhur, kundër qeverisë dhe opozitës, si të përfaqësonte një lëvizje shtet shthurëse.
Linja jonë, thotë Bushati, ka qenë mos-përfshirja në sherrin e stisur, por e kam të pamundur që të mos shprehem për intervistën sureale të presidentit të zgjedhur me votat tona, për një media të huaj.
“ Partnerët e sigurt shihen në sy dhe flasin troç, tregtarët e flamujve e shesin miqësinë e vërtetë për një pjatë thjerrëza. Në fund hesapi është i qartë dhe çdo partner brenda dhe jashtë mund t’i bjerë lapsit: qartazi strategjike për një bashkëpunim jetik mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit. Lajkat dhe përkëdheljet sterile, i takojnë një politike të vjetër”, thotë Bushati.
Top Channel