Siguria në Britani, policë të armatosur në çdo event

27/05/2017 00:00

Policë të armatosur do të ruajnë qindra aktivitete të planifikuara në Britaninë e Madhe gjatë fundjavës, si pjesë e masave të shtuara të sigurisë pas sulmit në Manchester.

Zyrtarë të lartë po inkurajojnë njerëzit të dalin, por të qëndrojnë vigjilentë, ndërsa niveli i kërcënimit për sulme është ngritur në shkallën më të lartë.

Siguria do të përforcohet në rreth 1300 evente përreth vendit, ndër to edhe nëpër stadiume. Sipas kreut të antiterrorizmit në Britani, Mark Rowley qytetarët duhet të jenë 100 përqind të sigurt se po bëjnë gjithçka të mundur për mbrojtjen e tyre.

“Kudo që të shkoni. Për të bërë pazar. Në aktivitete muzikore apo sportive do të shihni shumë efektivë police. Disa janë të armatosur e disa jo. Ata janë atje për t’ju mbrojtur kështu ju inkurajoj të dilni”, shprehet Mark Rowley, shef i antiterrorist.

Ai tha më herët se policia ka bërë arrestime dhe zbulime shumë të rëndësishme në kuadër të hetimit për sulmin në Manchester e kanë arrestuar pjesën më të madhe të rrjetit terrorist ku bënte pjesë kamikazi Salman Abedi.

Arrestimet e fundit, ato të 2 burrave të moshës 20 dhe 22-vjeçare erdhën pasi policia kreu dy shpërthime të kontrolluara për të siguruar aksesin në një banesë në zonën e Cheetham Hill në orët e para të së shtunës.

11 persona mes moshës 18 dhe 44-vjeçare, përfshirë edhe vëllain e terroristit Abedi janë ndaluar lidhur me akuza për terrorizëm. Kryeministrja britanike u largua më herët nga samiti i G7-s në Sicili për të kryesuar një takim të komitetit qeveritar të emergjencave, Cobra. Ndërkaq ushtria është mobilizuar për mbrojtjen e zonave kyçe, përfshirë Buckingam Palace dhe Parlamentin.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel