Koreja konfirmoi testin raketor. Shtohet aftësia goditëse

22/05/2017 00:00

Koreja e Veriut priti fillimin e javës për të publikuar videon e lëshimit të fundit balistik të vendit. Peniani njoftoi të hënën se kishte testuar me sukses, ditën e dielë, një raketë me rreze të mesme veprimi, për të konfirmuar sigurinë e fazës së fundit të komandimit të kokave raketore, gjë që dëshmon një rritje të aftësisë së tij për goditjen e shënjestrave në tokën amerikane.

Ministri koreano-jugor i Mbrojtjes mendon se fqinji i saj problematik ka arritur të përftojë të dhëna të rëndësishme nga testi i një dite më parë.

“Si autoritetet koreano-jugore, ashtu edhe ato amerikane të Inteligjencës, besojnë se Veriu ka siguruar informacione të vlefshme sa i takon shtimit të besueshmërisë së teknologjisë së tij të raketave. Do të nevojiten megjithatë verifikime të mëtejshme, për të parë nëse Peniani e zotëron plotësisht teknologjinë e kokave raketore”, tha Roh Jae-cheon, zëdhënës i shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Seul.

Ministria e Bashkimit në Seul deklaroi se do t’i përgjigjet ashpër e pa hezitim, çdo veprimi provokues të shtetit komunist, por sqaroi se do të vazhdojë të ruajë tolerancën në lidhje me civilët e përfshirë në shkëmbimet ndërkoreane, pasi beson se ndërprerja e marrëdhënieve nuk e ndihmon stabilitetin e gadishullit të përçarë.

Testin e së dielës e monitoroi nga afër udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un, i cili verifikoi edhe funksionimin e motorit me karburant solid të raketës “Pukguksong-2”.

Top Channel