Fytyra e re radikale e AfD-së/ Kush është Ulrich Siegmund, programi i tij ngre alarmin AfD-ja e ekstremit të djathtë arriti një fitore dërrmuese në zgjedhjet lokale të Saksoni-Anhalt, ndërsa CDU-ja në pushtet pësoi rënie përtej çdo parashikimi duke siguruar rreth 17% të votave, nivel ky që nuk ishte përmendur në asnjë sondazh. Në zgjedhjet e mëparshme, kishte mundur të fitonte 37%.
Edhe pse 43,8 përqindëshi i AfD-s nuk mjafton për shumicën absolute të mandateve në parlamentin e landit, rezultati zgjedhor ishte shokues për Unionin Kristian Demokrat. Në selinë e CDU-së në Magdeburg, atmosfera ishte e rëndë. Ndërsa rezultatet e para po konfirmonin fitoren e AfD-së, në Berlin kancelari Friedrich Merz thirri një mbledhje urgjente të drejtuesve të partisë.
Pyetja që po qarkullon tani brenda CDU-së është nëse përgjegjësia për këtë rezultat duhet të bjerë edhe mbi vetë kancelarin. Merz kishte hasur vështirësi gjatë fushatës në Saksoni-Anhalt. Në disa raste ai është pritur me fishkëllima dhe protesta, ndërsa CDU-ja nuk e kishte përfshirë në të gjitha aktivitetet elektorale. Sipas analizave paszgjedhore, një pjesë e votës për AfD-në mund të jetë edhe një votë proteste kundër qeverisë dhe kundër Merzit.
Kancelari gjerman po përballet tashmë me një nivel të ulët të mbështetjes personale, ndërsa AfD-ja po forcohet jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por edhe në nivel kombëtar. Një nga zërat më kritikë ishte gazetari i Bild, Paul Ronzheimer, i cili ngriti publikisht pyetjen nëse Merz mund ta drejtojë ende CDU-në pas kësaj disfate. Brenda partisë, megjithatë, ende nuk ka një vendim për të ardhmen e kancelarit.
Sytë tani janë te zgjedhjet e ardhshme rajonale, më 20 shtator, në Meklenburg-Pomeraninë e Parme dhe në Berlin, teksa sfida per CDU-në, tashmë është e qartë: të rikthejë mbështetjen e elektoratit dhe të ndalë avancimin e AfD-së.
Top Channel