Përdorimi i “smartphone”-ve po ndryshon gjithnjë e më shumë stilin e komunikimit. Një telefonatë apo një “SMS” po kthehen në një mesazh përmes aplikacioneve të ndryshme në celularë.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare raporton se për vitin 2016, përdorimi i internetit nga rrjetet e telefonisë së lëvizshme është rritur me 110%, krahasuar me një vit më parë. Për një periudhë trevjeçare nga viti 2013 deri në 2016-n, rritja është më shumë se 10 herë.
Nga ana tjetër, sasia totale e thirrjeve telefonike të gjeneruara nga përdoruesit e celularëve gjatë vitit 2016 u reduktua me 8%, në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që numri i mesazheve “SMS” të dërguara nga përdoruesit celularë rezultoi me një rritje modeste prej 1%.
AKEP nënvizon se ndryshimi i tendencave të shërbimeve tradicionale nga rrjete celulare, si thirrjet dhe “SMS”-të, vjen nga përdorimi i aplikacioneve “Over The Top”, siç jane “WhatsApp”, “Viber”, apo edhe përdorimi i rrjeteve sociale, si “Facebook” dhe “Instagram”, përmes “smartphone”-ve.
Numri i përdoruesve aktivë të celularëve në fund të vitit 2016 ishte 3.4 milionë vetë, me një rënie vjetore 2.1%, kurse numri i përdoruesve aktivë të internetit nga rrjetet celulare 3G dhe 4G, në vitin 2016 ishte rreth 1.7 milionë vetë, me një rritje prej 30% krahasuar me 2015-n.
Top Channel