Kostoja e patriotizmit indian. Flamurin gjigant e gris era

30/03/2017 00:00

Duhej të ishte një simbol i krenarisë kombëtare, flamuri më i lartë dhe më i madh në Indi i vendosur në mënyrë provokuese pranë kufirit të kryerivalit, pikërisht Pakistanit.

Një flamur i vendosur kaq lart, saqë mediet indiane pretendonin se shihej që nga qyteti pakistanez Lahore.

Por entuziazmi për këtë simbol krenarie kombëtare duket se i bëri indianët të harrojnë ligjet e natyrës, veçanërisht atë që thotë se strukturat e larta dhe të mëdha duhen llogaritur me shumë kujdes, pasi nuk shkojnë fare mirë me erë.

Kjo e fundit ka grisur 4 flamuj që prej muajit të shkuar, kur simboli kolosal indian u ngrit për herë të parë në lartësinë 110 metra pranë kufirit pakistanez dhe aktualisht shtylla e flamurit është bosh.

Duke marrë në konsideratë se sipërfaqja e flamurit është 864 metra katrorë, fondi i caktuar për mirëmbajtjen e tij po diskuton nëse kostoja e patriotizmit është tejet e lartë, të paktën në këtë rast.

Deri tani, ndërtimi i monumentit, bashkë me riparimet e paparashikuara të flamurit, ka shkuar në 443 mijë stërlina. Autoritetet lokale thanë se po shqyrtojnë mundësinë e një hetimi, me ndihmën e qeverisë qendrore, pasi duhet parë se çfarë materiali po përdoret për flamurin gjigant, edhe pse askujt nuk i shkoi mendja te problemi i erës gjatë projektimit.

FOTO GALERI
2/2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB