Përshkallëzohet lufta tregtare/ Trump kërcënon të ndalojë shitjen e avionëve Bombardier nëse nuk prodhohen në SHBA, Kanadaja vendos tarifa 20 miliardë dollarëshe
Shtatë persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë rezultojnë të zhdukur pas një shpërthimi të fuqishëm në një bazë ushtarake në Bolivi.
Ngjarja e rëndë ndodhi të premten, më 4 shtator, në një kazermë ushtarake në Viacha, rreth 30 kilometra larg kryeqytetit La Paz.
Lajmi për bilancin e viktimave u konfirmua nga komandanti i Ushtrisë boliviane, Hector Alarcón, i cili deklaroi se ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet për personat e zhdukur.
“Prioriteti ynë mbetet gjetja e ushtarakëve që rezultojnë ende të zhdukur dhe dhënia sa më shpejt e përgjigjeve për familjet e tyre”, deklaroi Alarcón gjatë një konference për mediat.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 14:30 me kohën lokale, në një pjesë të bazës që përdorej për magazinimin e materialeve piroteknike.
Ende nuk ka një konfirmim përfundimtar mbi shkakun e shpërthimit. Megjithatë, presidenti i Bolivisë, Rodrigo Paz Pereira, tha se një prej pistave kryesore të hetimit është mundësia që ngjarja të jetë shkaktuar nga manipulimi i papërshtatshëm i lëndëve shpërthyese të ruajtura në objekt.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar saktësisht se çfarë shkaktoi shpërthimin dhe nëse janë respektuar protokollet e sigurisë.
Ministrja e Shëndetësisë, Marcela Flores, bëri të ditur se pas shpërthimit janë trajtuar gjithsej 84 persona, ndërsa 31 prej tyre vijojnë të jenë të shtruar në spitale.
Presidenti Paz Pereira ka shpallur gjithashtu zi kombëtare në vend dhe ka urdhëruar rishikimin e protokolleve të sigurisë në Forcat e Armatosura.
Kreu i shtetit u ka bërë thirrje autoriteteve dhe forcave politike që tragjedia të mos politizohet, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.
Top Channel