Sulmet rikthehen në Kiev, 2 të vdekur dhe 10 të plagosur, Polonia ngre avionët ushtarakë në gatishmëri

08/09/2026 08:08

Një natë me sulme të ndërsjella është regjistruar mes Rusisë dhe Ukrainës, pas disa ditësh qetësie relative në kryeqytetin ukrainas.

Në Kiev, sulmet ajrore ruse kanë shkaktuar të paktën dy viktima dhe 10 të plagosur, sipas autoriteteve ushtarake lokale. Bilanci pritet të rëndohet, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën në zonat e goditura.

Sulmet ruse ndaj kryeqytetit ishin pezulluar për tre ditë, gjatë vizitës së emisarëve të presidentit amerikan Donald Trump në Ukrainë.

Sulm me dronë në Saratov

Ndërkohë, në territorin rus, qyteti i Saratovit është goditur nga një sulm me dronë ukrainas. Sipas guvernatorit të rajonit, Roman Busargin, sulmi ka shkaktuar dëme në infrastrukturën civile dhe ka lënë të plagosur të paktën 10 persona, mes tyre tre fëmijë.

“Janë dëmtuar infrastruktura civile. Të gjitha shërbimet e emergjencës po punojnë në terren”, deklaroi Busargin, duke shtuar se raportimet paraprake flasin edhe për viktima. Autoritetet ruse vijojnë vlerësimin e dëmeve dhe operacionet e emergjencës në zonat e prekura.

Polonia ngre avionët ushtarakë në gatishmëri

Në alarm është vendosur edhe Polonia, e cila ka aktivizuar avionët ushtarakë si masë parandaluese në përgjigje të aktivitetit ajror rus në Ukrainë.

Komanda Operative e Forcave të Armatosura polake njoftoi se avionët ushtarakë kanë nisur operimet në hapësirën ajrore të vendit. Gjithashtu, në gatishmëri janë vendosur sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe ato të zbulimit me radar.

Sipas autoriteteve polake, masat janë marrë për të garantuar sigurinë e zonave pranë kufirit me Ukrainën, të konsideruara më të ekspozuara ndaj zhvillimeve të luftës.

Përplasjet e fundit vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike për një marrëveshje mes Moskës dhe Kievit vijojnë, por pa një përparim të dukshëm drejt një armëpushimi të qëndrueshëm.

Top Channel