Sulmi ndaj Soros, “Foreign Policy”: Idetë e Kremlinit shkojnë në Capitol

29/03/2017 00:00

 Pretendimet për ndërhyrjen e ambasadorëve amerikanë dhe fondacionit të George Soros ,në punët e brendshme të disa vendeve ballkanike, janë kthyer në një çështje serioze në Capitol Hill.

 6 senatorë i kanë kërkuar sekretarit të shtetit, Rex Tillerson të hetojë aktivitetet e ambasadave amerikane dhe misioneve të USAID-it në mbështetje të demokracive rreth botës.

Por për drejtorin e iniciativës “Shoqëria e Hapur për Evropën”, themeluar nga Sorosi, Goran Buldioski, këto nuk janë gjë tjetër veçse teori konspirative.

Letra e senatorëve fokusohet tek përpjekjet e dy ambasadorëve amerikanë në Maqedoni dhe Shqipëri në mbështetje të demokracisë, duke nënkuptuar se ata kanë ndërhyrë në politikën e brendshme për të favorizuar të majtën.

Ndërsa fondacioni “Shoqëria e Hapur” i Sorosit në Maqedoni dhe Shqipëri, akuzohet si ndërmjetësues i kësaj përpjekjeje. Në një shkrim për “Foreign Policy”, Buldioski i bën thirrje sekretarit të shtetit të shpërfillë pretendimet, që sipas tij janë jo vetëm të pabaza, por i bëjnë jehonë pikëpamjeve të Kremlinit dhe mbështesin agjendën e elementeve të korruptuar në rajon.

Autori i shkrimit, që është shtetas maqedonas, thotë se Gruevski duke mos dashur të marrë përgjegjësinë për krimet dhe krizën politike, po ia hedh fajin BE-së, duke kërkuar mbështetje te Moska. Sorosi që bashkë-financon organizata të pavarura, me donatorë të tjerë privatë, është bërë, sipas Buldiovskit, dash kurbani.

Ai shton se duke mbështetur pretendimet, senatorët po e çojnë retorikën e Putinit drejt e në Capitol. Sa i përket Shqipërisë, autori pretendon se  fondacioni “Shoqëri e hapur” nuk ka pranuar dhe as administruar fonde të USAID-it, siç pretendojnë senatorët.

Ai nuk e ka krijuar dokumentin strategjik për reformën në drejtësi, siç thuhet në letër, por mbështeti procesin duke financuar komisionin dhe duke i ofruar atij suport teknik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA