Stili “amerikan” i fushatës së çiftit Macron-Brigitte

21/03/2017 00:00

Duke lënë mënjanë traditën franceze, kandidati presidencial i qendrës, Emmanuel Macron ka krijuar një ekip të pandashëm me bashkëshorten e tij Brigitte, e cila po bën fushatë krahas tij, një lëvizje që është parë më së shumti në arenën politike amerikane, e jo në Francë.

“Rebeli” i pavarur 39-vjeçar po konsiderohet gjithnjë e më shumë si pretendent në zgjedhjet presidenciale franceze që zhvillohen në dy raunde, më 23 prill dhe 7 maj. Sondazhet tregojnë se Macron do të mund të shpallet fitues, nëse do të vihet përballë udhëheqëses së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, e cila të paktën do të arrijë të korrë sukses në raundin e parë, duke qenë se kandidati konservator, François Fillon ka humbur terren pas akuzave për korrupsion.

Macron, ish-ministër i Ekonomisë në Francë, bën fushatë pro tregjeve të lira, e mbi të gjitha pro pikëpamjeve europiane. E ndryshe nga shumë politikanë francezë, të cilët preferojnë ta mbajnë jetën e tyre private të ndarë nga ajo politike, ai po shfaqet vazhdimisht në publik me bashkëshorten e tij.

Brigitte Trogneux, 63 vjeç, ndjek të gjitha mitingjet dhe shfaqjet publike të bashkëshortit të saj, ndërsa Macron nuk e ka fshehur faktin se ajo është edhe një këshilltare e afërt politike për të. E ndërsa diferenca e moshës prej 24 vitesh mes çiftit mund të duket normale në Perëndim, ajo që dihet është se Brigitte ka qenë ish-mësuesja e tij në shkollë të mesme.

Kandidatja potenciale për t’u bërë Zonja e Parë e Francës është bashkuar së fundi me Macronin në një miting fushate, duke e puthur atë dhe duke falenderuar turmën e mbledhur në një teatër të Parisit. Nëse ai zgjidhet president, “ajo do të ketë pikërisht këtë rol dhe do të jetë në krahun tim, e jo pas meje e fshehur”, deklaroi Macron.

Macron dhe Trogneux kanë të njëjtën diferencë moshe sa edhe presidenti amerikan, Donald Trump, 70 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Melania, 46 vjeç, por ndryshe nga çifti i Shtëpisë së Bardhë, në “Elysee” pritet të hyjë një president më i ri sesa bashkëshortja e tij, e për këtë ka tërhequr shumë vëmendje. Disa opinionistë thonë se kjo mund të përforcojë imazhin e Macronit si një politikan modern, të hapur dhe një figurë jokonvencionale në politikën franceze.

Macron është takuar me Trogneux kur ai ishte vetëm 17 vjeç, ndërsa i mësonte atij letërsinë franceze në shkollën e mesme të vendlindjes, Amiens. Në atë kohë, ajo ishte e martuar dhe nënë e 3 fëmijëve dhe drejtonte klubin teatror ku bënte pjesë edhe Macron. Pak vite më vonë, ajo u divorcua dhe u bashkua me Macronin në Paris, ku ai përfundoi studimet në Shkollën Kombëtare të Administrimit (ENA), një nga më prestigjiozet e Francës, në vitin 2004.

Në një video të dasmës së tyre në vitin 2007, të transmetuar nga televizioni francez, Macron falënderonte fëmijët e bashkëshortes së tij që e kishin pranuar. Ai tha se, pavarësisht se ata “nuk janë një çift thuajse normal, ata janë një çift që ekziston në të vërtetë”.

Top Channel