Francë, kandidatët për president debatojnë për “burkinin”

21/03/2017 00:00

Dy kandidatët kryesorë në zgjedhjet presidenciale franceze, Marine Le Pen dhe Emanuel Macron u përplasën ashpër në debatin televiziv.

Liderja e ekstremit të djathtë dhe ai i qendrës u përplasën sa i takon çështjes së veshjes islamike, “burkin”, që u përdor nga disa gra myslimane verën e kaluar në plazhet franceze.

Le Pen tha se multikulturalizmi duhet të marrë fund, ndërsa Macron e akuzoi atë se po kthente në armiq myslimanët e Francës.

Gjatë debatit, Macron tha se do të ndryshojë politikat tradicionale përcarëse të vendit, ndërsa Le Pen tha se dëshiron që Franca të mos jetë “një rajon i humbur” i BE-së ose vartëse e Gjermanisë së kancelares Angela Merkel, pa harruar premtimin për të ndaluar të gjithë emigrantët.

Macron u tregua i prirur për të kundërshtuar argumentet e Le Pen, duke thënë se burkini është një çështje e lidhur me rendin publik dhe jo një sfidë për vlerat laike të Francës, sikundër sugjeroi liderja e ekstremit të djathtë.

Të pranishëm të tjerë në debatin e mbrëmjes së të hënës ishin edhe kandidati tjetër i qendrës së djathtë, Francois Fillon, si dhe të majtët Benoit Hamon dhe Jean Luc Melenchon.

Në fokus ishin çështje të ndryshme që nga punësimi e deri tek terrorizmi dhe roli i Francës në Europë. Në fjalën e tij, Fillon tha se, nëse zgjidhet do të jetë presidenti i asaj që e quajti “rimëkëmbja kombëtare”.

E dërguara BBC në Paris, Lucy Williamson sugjeron se fitues i këtij debati ishte Macron. Ndërkohë, sondazhet tregojnë se Le Pen do të marrë shumicën e votave në raundin e parë, por Macon do ta mundë në balotazh.

Top Channel