“Brexit”, BE-ja nuk vonon nisjen e negociatave. Samit më 29 prill

21/03/2017 00:00

Një samit i vendeve anëtare të Bashkimit Europian për të diskutuar mbi “Brexit”-in do të zhvillohet më 29 prill, vetëm një muaj pasi Britania e Madhe të ketë aktivizuar zyrtarisht “nenin 50” të Traktatit të Lisbonës. Takimi do të shfrytëzohet për të rakorduar udhërrëfyesin e ekipit negociator të BE-së, të kryesuar nga Michel Barnier.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se prioritet do të jetë dhënia e të gjitha qartësive të nevojshme ndaj rezidentëve të BE-së, bizneseve dhe shteteve anëtare në lidhje me bisedimet që do të kryhen në vazhdim.

Kryeministrja Theresa May do ta njoftojë zyrtarisht BE-në për vendimin e Britanisë për t’u shkëputur nga blloku më 29 mars, siç u bë e ditur pak ditë më parë. Ajo ka informuar kabinetin e saj qeveritar të martën, duke u shprehur se aktivizimi i “nenit 50” do të jetë një ngjarje historike dhe fillimi i një “kapitulli të ri të guximshëm, për një komb global dhe me prosperitet të hapur”.

Letra që ajo do t’ia dërgojë Tuskut do të jetë “një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e kohëve të fundit të vendit” dhe do të përcaktojë tonin për një marrëdhënie të re me BE-në, sipas asaj që May u ka thënë ministrave kryesorë të saj.

Takimi i prillit, në të cilin Britania e Madhe nuk do të marrë pjesë, do të zhvillohet vetëm pak ditë pas raundit të parë zgjedhor të presidencialeve franceze.

May tha se shpresonte që bisedimet të nisnin sa më shpejt që të ishte e mundur, edhe pse mendohet se ato nuk do të nisin më herët sesa takimi i prillit të krerëve të 27 vendeve të BE-së, apo përpara rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale franceze të 7 majit.

Në deklaratën e tij, Tusk tha se ndiente keqardhje, por e respektonte vendimin e Britanisë për t’u shkëputur nga BE-ja dhe se donte që “procesi i divorcit” të ishte “sa më pak i dhimbshëm” për Bashkimin Europian.

Top Channel