Dhoma e ulët e Parlamentit rus urdhëroi nisjen e hetimeve mbi punën e CNN-it dhe Zërit të Amerikës për të parë nëse ajo është në përputhje me ligjet vendase. Në vëmendjen e Dumës është po ashtu dhe shërbimi në rusisht i radios Europa e Lirë.
Kjo lëvizje ishte nismë e zëvendëskryetarit të Komitetit Parlamentar mbi Politikën e Informacionit, Konstantin Zatulin, anëtar i partisë “Rusia e Bashkuara” të Vladimir Putinit.
Politikanët amerikanë, që e kanë akuzuar rregullisht shtypin rus për ndërhyrje në çështjet e brendshme të Uashingtonit, kaluan nga retorika tek veprimi pas zgjedhjeve presidenciale, thuhet në dokument.
Me këtë, Zatulin i referohej nismës së senatores amerikane nga Nju Hempshajër Jeanne Shaheen, e cila paraqiti projektligjin që do t’i mundësonte Departamentit të Drejtësisë hetimin e shkeljeve të mundshme të Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj nga rrjeti i lajmeve RT, i mbeshtetur nga Moska.
“Nisur nga fakti që të tilla verifikime të mbështetura në një projektligj që mund të dëmtojë reputacionin e televizionit rus dhe të vendit tonë në përgjithësi, besoj se është e nevojshme të merren masa proaktive”, shpjegon Zatulin.
Ai e lidhi haptazi hetimin me ligjin e Shaheen, duke cituar vlerësimet e shërbimeve amerikane të informimit se RT në SHBA është përdorur si pjesë e një fushate të drejtpërdrejtë të Kremlinit për shfrytëzimin e ndikimit publik me qëllim mbështetjen e Donald Trump gjatë zgjedhjeve të nëntorit 2016.
CNN është kritikuar nga Moska për mënyrën sesi ka përcjellë përfshirjen e dyshuar ruse në presidencialet amerikane si dhe lidhjet ndërmjet bashkëpunëtorëve të Trumpit me zyrtarët rusë.
Top Channel