“Durimit strategjik” të Uashingtonit me Korenë e Veriut i ka ardhur fundi. Paralajmërimi vjen nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, i cili e bëri të qartë se veprimeve provokuese të shtetit komunist mund t’i përgjigjeshin edhe ushtarakisht.
Gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp në Korenë e Jugut, me ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Tillerson tha gjithashtu se Amerika po konsideronte një varg masash të reja diplomatike dhe ekononomike. Deklaratat e forta të Sekretarit të Shtetit sinjalizojnë një ndryshim të rëndësishëm në politikën ndaj Koresë së Veriut.
“Më lejoni të jem shumë i qartë. Politika e durimit strategjik ka përfunduar. Ne jemi duke shqyrtuar një numër masash të reja diplomatike, të sigurisë dhe ekonomike. Nëse kërcënimi nga programi bërthamor i këtij vendi do të jetë i lartë, atëherë opsioni ushtarak do të merret në konsideratë”, tha Rex Tillerson, Sekretar i Shtetit amerikan.
Peniani ka zhvilluar një sërë testesh bërthamore e raketash balistike gjatë viteve të fundit dhe ka thënë se është pranë testimit të një rakete me rreze të gjatë veprimi, e aftë për të mbajtur koka bërthamore e që mund të mbërrijë deri në SHBA.
Tillerson mbrojti gjithashtu vendimin për dërgimin e sistemit amerikan të mbrojtjes raketore në Korenë e Jugut, një lëvizje kjo që ka zemëruar Kinën.
Në një postim në “Twitter”, presidenti Donald Trump tha se Koreja e Veriut po sillej shumë keq dhe se kishte vënë në lojë Shtetet e Bashkuara për vite me radhë. “Kina nuk ka bërë thuajse asgjë për të na ndihmuar”, ishte komenti i presidentit amerikan.
Top Channel