NATO dhe tregtia, Trump pret Merkel në Uashington

17/03/2017 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel takon këtë të premte në Uashington presidentin amerikan Donald Trump, me tregtinë transatlantike dhe NATO-n në krye të axhendës së bisedimeve.

Trump ka ngjallur shqetësim në Gjermani pas kërcënimit të prodhuesve të automjeteve për rritje tarifash, si dhe kërkesës drejtuar Berlinit që të shtojë shpenzimet e mbrojtjes.

Nuk është rastësi, që shefen e ekzekutivit gjerman e shoqërojnë në këtë vizitë drejtues të lartë të kompanive gjermane “Siemens”, “Schaeffer” dhe gjigantit të makinave “BMW”.

Me politikën e tij të tregtisë së jashtme, Donald Trump mund të shkaktojë një luftë ndërkombëtare tregtare. Kjo është frika më e madhe që mundon shumë ekonomistë pas ardhjes së tij në pushtet. Deri tani nuk ka ndodhur gjë, por shumë deklarata të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara shkojnë në një drejtim të qartë, që është izolimi nga ekonomia botërore.

Të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave në Berlin tregojnë se, firmat gjermane shitën vitin e fundit në SHBA mallra në vlerën prej 107 miliardë dollarësh, që është sa dyfishi i importeve nga Amerika.

Ekspertët mendojnë se kancelares do t’i duhet të tregohet mjaft e kujdesshme në këtë takim, sepse ka shumë gjëra në peshore. Një luftë tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së do të rëndonte ekonominë globale.

“Dobësimi i NATO-s e izolimi amerikan do të sillnin fundin e rendit botëror të tanishëm, me pasoja të paditura, – shprehet “DW”, – ndërsa largimi i Amerikës nga ‘Marrëveshja e Klimës’ do të thotë vdekje dhe uri në Afrikë”.

Ofensiva diplomatike e Merkelit, ndërkohë, do të vazhdojë me një ndalesë të rrallë në Rusi më 2 prill, e para që prej aneksimit të Krimese nga Moska në vitin 2014.

Top Channel