Francë, arrestohet autori 17-vjeçar i të shtënave në shkollë

16/03/2017 00:00

Policia ka arrestuar një 17-vjeçar në qytetin jugor francez Grasse, pasi 3 persona u plagosën gjatë të shtënave në shkollë.

Adoleshenti, i cili thuhet të ketë qenë i armatosur me 3 armë dhe dy granata, nisi sulmin ndaj shkollës së mesme “Tocqueville”, ku mbeti i plagosur një gjimnazist.

Drejtori i shkollës dhe dy nxënës të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa 5 të tjerë raportohen të jenë trajtuar nga psikologët për shokun që kaluan.

Komandot antiterror nga forcat elitare të bastisjeve u dërguan menjëherë në vendngjarje.

Presidenti rajonal, Christian Estrosi tha se “rrethanat e sakta” mbi këtë ngjarje mbeten ende të paqarta, për shkak të raporteve kontroverse. Gjithsesi, ai tha se ende nuk ka një lidhje të qartë që t’i lidhë këto të shtëna me terrorizmin.

Presidenti francez, François Hollande u bëri jehonë fjalëve të tij në një konferencë për shtyp pasditen e kësaj të enjteje, por shtoi se Franca duhet të mbetet “vigjilente” dhe gjendja e emergjencës duhet të vijojë.

Ishte pikërisht një student që raportoi të kishte dëgjuar 4 të shtëna, ndërsa një tjetër që foli për “Nice Matin” tha se kishte dëgjuar 3 të shtëna të fuqishme, përpara se të kthehej dhe ta diktonte agresorin. Ende nuk është e qartë se, sa persona fshihen pas këtij sulmi. Fillimisht mediet lokale thanë se kishte një agresor të dytë në arrati, por shumë media tani thonë se ishte vetëm një.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Pierre-Henry Brandet tha për “BFMTV” se “jemi ende në fazën e shpëtimit, si dhe të kërkimit të një agresori të dytë të mundshëm”.

Grasse, “kryeqyteti” i industrisë së parfumeve në Francë , ndodhet vetëm 44 km larg qytetit të Nicës, ku ndodhi edhe sulmi terrorist me kamion në korrik, e ku mbetën të vdekur 86 persona. Franca ndodhet në gjendje emergjence që prej një serie sulmesh që e kanë tronditur vendin në 18 muajt e fundit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel