Tusk: Turqit, larg realitetit. “Twitter” pushtohet nga “hacker”at

15/03/2017 00:00

Turqia është plotësisht e shkëputur nga realiteti, teksa i quan holandezët fashistë. Ky është reagimi më i fundit i presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, i cili ka folur në vazhdën e një grindjeje të bujshme mes Turqisë dhe vendeve europiane, për shkak të moslejimit të fushatës për referendumin turk.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan e akuzoi qeverinë holandeze si një “mbetje naziste”, ndërsa kritikoi edhe rolin e saj gjatë luftës së Bosnjes, veçanërisht në masakrën e Srebrenicës. Por kryeministri holandez i quajti këto komente si një “falsifikim i turpshëm”.

Turqia është irrituar nga vendimi i Holandës, sikurse edhe i Gjermanisë, për të anuluar mitingjet që synonin të siguronin mbështetjen e turqve që jetojnë në këto shtete për votën “pro” në referendumin e 16 prillit, për t’i dhënë fuqi të tjera presidentit Erdogan.

Në fjalën e mbajtur në Parlamentin Europian, Tusk tha se Holanda ishte “një vend i lirisë dhe demokracisë, e sigurisht që edhe Rotterdami”, tha ai duke përmendur edhe qytetin holandez ku nisën përplasjet pas ndalimit që iu bë një ministri turk për të folur në miting të shtunën.

“Qyteti i ‘Erasmus’-it, i shkatërruar rëndë nga nazistët, sot ka një shumicë popullsie të lindur në Marok”, shtoi ai. “Nëse dikush sheh fashizëm në Rotterdam, ai me siguri është totalisht i shkëputur nga realiteti”.

Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, llogaritë në “Twitter” të disa organizatave të rëndësishme, përfshi “Amnesty International”, “Unicef USA” dhe “BBC North America”, u sulmuan nga piratët kompjuterikë, të cilët pretendojnë se mbështesin qeverinë turke.

“Hacker”-at publikuan disa “cicërima” ku përfshiheshin fjalët “Gjermania naziste dhe Holanda naziste”, shoqëruar edhe me flamurin turk. Këto i bëjnë jehonë deklaratës së presidentit Erdogan, i cili krahasoi zyrtarët gjermanë dhe ato holandezë me nazistët.

Top Channel