Triumfi rus në Siri; Perëndimi mbyll sytë ndaj luftës

15/03/2017 00:00

Pas gjashtë vitesh lufte civile, regjimi sirian mund ta konsiderojë veten të sigurt. Sigurisht që s’mund të flejë mbi dafina, por vendimi rus i fundit të 2015-s që të rriste mbështetjen për Bashar al Assad, e shndërroi luftën dhe rezultatin e saj.

Rënia e Alepos në duart e qeverisë në fund të 2016-s ishte shenja më e qartë për këtë, ashtu si edhe goditja më e fortë ndaj rebelëve që dikur shpresonin me të vërtetë se mund të rrëzonin regjimin Assad. Ky i fundit nuk e ka fituar ende luftën, por është tejet e vështirë të gjendet një mënyrë se si ta humbë, sidomos pa një ndërhyrje të fortë ndaj tij nga një fuqi e madhe e huaj.

Por për fatin e keq të qindra mijëra viktimave, miliona sirianëve që kanë braktisura vendin dhe miliona të tjerëve që vuajnë ende aty, fuqitë perëndimore, ato që kërkonin rrëzimin e diktatorit Assad, u mjaftuan vetëm me fjalë dhe nuk patën guxim të shkonin më tej. në vitin 2011, kur shpërtheu pranvera arabe, pritej që Assad të pësonte fundin e liderëve të Tunizisë, Egjipit apo Libisë.

Por regjimi sirian, ndryshe nga fqinjët e tjerë ishte ndërtuar për t’i rezistuar revoltave, bazuar mbi një rreth të ngushtë besnikësh alauitë nga sekti i presidentit, diçka e testuar në terren me sukses dekada më parë nga babai i ish-presidentit aktual.

Pas shpërthimit të luftës civile, konflikti sirian u shndërrua në një mini-luftë botërore, me shumë aktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë të përfshirë. Gjeneralë të NATO-s thonë se kishin plane që të fillim për të ndërhyrë dhe për t’i dhënë fund luftës siriane. Por ata nuk kishin lider politikë që të guxonin ta ndërmerrnin këtë rrezik.

Në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama ishte i vendosur të mos përsëriste gabimet e paraardhësit të tij Xhorxh Bush. Përdorimi i armëve kimike nga regjimi i Assad dhe tërheqja e Obamës që kishte kërcënuar me luftë në rast se shkelej kjo vije e kuqe, ishte pika e kthesës.

U bë e qartë se perëndimi nuk dinte ç’të bënte me Sirinë, veçse ta kërcënonte me fjalë, ndryshe nga Rusia, ku Putin e kishte shumë të qartë të ardhmen. Ai ruajti një regjim mik dhe i tregoi mbështetësve të tij, por edhe mbarë botës se Rusia është kthyer në skenën globale.

Perëndimi tashmë i ka mbyllur sytë ndaj Sirisë dhe nuk flet për disfatën serioze që pësoi atje, ndërsa lufta në terren vazhdon dhe me dhjetëra vdesin çdo ditë, derisa Assad të jetë i bindur se nuk ka më asnjë rrezik që ta kërcënojë pushtetin e tij.

Top Channel