Siri, të paktën 25 viktima në sulmin ndaj Pallatit të Drejtësisë

15/03/2017 00:00

Të paktën 25 persona kanë vdekur këtë të mërkurë, pas një sulmi kamikaz në kompleksin kryesor të gjykatave në kryeqytetin sirian Damask, sipas asaj që raporton media shtetërore, në të dytin sulm me bombë që trondit zemrën e Sirisë brenda 5 ditëve.

Televizioni shtetëror “SANA” informon se një militant ka hedhur veten në erë brenda Pallatit të Drejtësisë në zonën qendrore të Hamidiyeh, shumë pranë qytetit të vjetër. Një burim nga policia lokale tha për televizionin në fjalë se, nga raportet paraprake mësohet të kenë ndërruar jetën 25 persona, ndërsa të plagosurit ende nuk janë saktësuar.

Sulmi vjen në përvjetorin e 6 të nisjes së kryengritjes kundër presidentit Bashar al-Assad. Ajo që nisi në kuadrin e “Pranverës arabe” kundër regjimeve autokratike në disa vende të Lindjes së Mesme, është kthyer prej atëherë në një luftë brutale që ka tërhequr vëmendjen e fuqive rajonale dhe botërore.

Aktivistët thonë se mbi 320 mijë njerëz janë vrarë dhe 11 milionë të tjerë janë zhvendosur prej luftës civile. Sulmi i kësaj të mërkure vjen pas dy bombave të hedhura në kryeqytet gjatë së shtunës, që kanë të vrarë të paktën 40 persona, shumica e të cilëve pelegrinë myslimanë shiitë nga Iraku, që kishin ardhur për të vizituar varrezat antike jo shumë larg qytetit të vjetër.

Pas sulmit të së shtunës u tha se ishte grupi xhihadist i lidhur me “al Qaeda”-n, “Tahrir al-Sham”, ndërsa për sulmin në Pallatin e Drejtësisë ende nuk ka një përgjegjës.

Top Channel