Britani, miratohet ligji për Brexit. I hapet rrugë negociatave

14/03/2017 00:00

Parlamenti britanik miratoi ligjin për “Brexit”, duke i hapur rrugën qeverisë që të aktivizojë “nenin 50”, në mënyrë që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga Bashkimi Europian.

Miratimi i ligjit u bë pasi anëtarët e Dhomës së Lordëve u tërhoqën nga çështja e së drejtës për rezidencën europiane dhe një tjetër votim për paktin përfundimtar të “Brexit”-it, pasi vërejtjet e tyre u refuzuan nga deputetët.

Tashmë pritet që projektligji të marrë lejen mbretërore dhe të shndërrohet në ligj, duke i dhënë mundësinë kryeministres Theresa May që të nisë bisedimet e largimit sa më parë.

Parlamenti britanik miratoi ligjin për “Brexit”, ndërsa kryeministrja e parë e Skocisë, Nicola Sturgeon tha se do të zhvillojë një referendum të dytë për pavarësinë e Skocisë, i cili parashikohet thuajse në të njëjtën kohë me fundin e negociatave për “Brexit”.

Burime nga qeveria britanike informojnë se kryeministrja May nuk do të nxitojë për të aktivizuar “nenin 50” dhe pritet që të lajmërojë zyrtarisht BE-në për qëllimin britanik për t’u larguar në fund të muajit, duke i hapur rrugën një procesi që pritet të zgjasë dy vite.

Aktivistët e “Brexit” mirëpritën mandatin e qartë që Parlamenti i dha qeverisë britanike para nisjes së negociatave zyrtare. Sipas tyre, tashmë të gjithë duhet të mbështësin qeverinë që të arrijë marrëveshjen më të mirë të mundshme me Bashkimin Europian.

Top Channel