Fjalimi prekës i Biden: Ka ende shpresë në luftën kundër kancerit

13/03/2017 00:00

Ish-zëvendëspresidenti demokrat amerikan, Joe Biden, në një prej fjalimeve më të mëdha të tij që prej largimit nga detyra në fillim të këtij viti, tha se do t’i pëlqente të ishte presidenti amerikan që do t’i jepte fund kancerit.

Djali i tij, Beau Biden ndërroi jetë nga tumori në tru në vitin 2015, ndërsa Joe mbajti një fjalim emocionues në një samit teknologjie në Austin të Teksasit, përmes të cilit bëri thirrje për vazhdimin e punës së udhëhequr prej tij nën drejtimin e vendit nga presidenti demokrat Barack Obama, në kuadër të nismës “Cancer Moonshot” që synonte shtimin e shpenzimeve në kërkimet për terapitë e reja ndaj tumoreve.

Ai foli për nevojën e parandalimit, bashkëpunimit shkencor dhe grumbullimin e të dhënave për të sfiduar kancerin. Biden nuk e përmendi presidentin aktual Donald Trump, por në fjalimin e mbajtur përpara mijëra personave tha se do të dëshironte të vazhdonte të punonte me administratën aktuale në betejën kundër kancerit, që siç përllogaritet vret rreth 600 mijë amerikanë në vit.

“E vetmja gjë bipartizane e mbetur në Amerikë është lufta kundër kancerit”, tha ai.

Biden rrëfeu gjithashtu se, vetëm pak përpara se ai të njoftonte zyrtarisht në vitin 2015 se nuk do të garonte për president, Obama e kishte pyetur nëse i kishte mbetur ndonjë peng. Dhe përgjigjja e tij ishte: Do të dëshiroja me çdo kusht që të isha presidenti që do të udhëhiqja çrrënjosjen e kancerit”.

Ai shtoi më tej se, në muajt pas vdekjes së të birit, atij i dukej sikur nuk kishte më frymë për të garuar për president. “Askush nuk duhet të garojë për President të Shteteve të Bashkuara, për sa kohë që nuk është i përgatitur të japë çdo gram të energjisë së tij”, tha ai.

Gjithsesi, Biden lavdëroi republikanët që kanë punuar së bashku me demokratët në betejën kundër kancerit gjatë kohës që ai ishte në detyrën e zv.presidentit. Një tjetër peng i tij ka të bëjë me administratën e re të Trumpit, duke sugjeruar se disa prej atyre që janë tashmë në pushtet nuk veprojnë në përputhje me kërkimet shkencore mbi ngrohjen globale. “Nuk duhej ta thoja këtë, por është pikërisht kjo që më irriton”, tha ai.

Kjo ishte dalja e parë e Bidenit që kur është mësuar se djali i tij i martuar kishte pasur një marrëdhënie jashtëmartesore me kunatën e ve. Më 1 mars u mësua se Hunter Biden, djali i ish-zv.presidentit, ka pasur një marrëdhënie me Hallie Biden, e veja e Beau Biden, vëllait të Hunterit që ndërroi jetë nga tumori në tru në maj të vitit 2015. Joe Biden dha bekimin e tij për këtë marrëdhënie, edhe pse Hunter kishte qenë ndërkohë i martuar me bashkëshorten e tij Kathleen, me të cilën rezulton i ndarë, por që vetëm javën e kaluar dorëzuan dokumentet për divorc të përshpejtuar.

Top Channel