Etiopi, mali me mbeturina vret 50 persona

13/03/2017 00:00

Të paktën 50 persona humbën jetën si pasojë e një rrëshqitje dheu në një landfill kolosal mbeturinash në rrethinat e kryeqytetit etiopian Adis Ababa.

Sipas zyrtarëve lokalë, dhjetëra persona të tjerë janë shpallur të humbur, pas rrëshqitjes së mbeturinave në landfillin Koshe. Sipas banorëve të zonës, mbi 150 njerëz gjendeshin në landfill në momentin e incidentit. Shumë shtëpi të sajuara me karton dhe dërrasa u mbuluan nga mali i dheut dhe i mbeturinave që u shembën mbi to.

Sipas mediave, zona e landfillit përdoret prej më shumë se 5 dekadash për të hedhur mbeturinat e kryeqytetit. Shumë njerëz u mblodhën në vendngjarje të dëshpëruar duke pritur lajme për të afërmit e tyre të zhdukur, ndërsa kërkimet mes mbeturinave vazhdojnë. Policia lokale tha se shumë prej viktimave dhe të humburve janë fëmijë që siguronin jetesën duke kërkuar mes mbeturinave.

Ata kërkonin mes plehrave për ndonjë send për të shitur, ndërsa mësohet se shumë prej tyre jetonin po brenda në landfill. Pas hedhjes abuzive të plehrave prej dekadash në landfill, për të zgjidhur problemin e qytetit të plehrave, siç njihet tashmë, autoritetet kanë nisur ndërtimin e një centrali energjitik pranë tij, që do të krijojë elektricitet duke djegur mbeturinat.

Top Channel