Debati me Turqinë; Liderët evropiane tregojnë “dhëmbët”

13/03/2017 00:00

Disa liderë evropianë kanë kritikuar Turqinë në kuadër të kontradiktës që pasoi përpjekjet e qeverisë turke për të zhvilluar mitingje në vendet evropiane.

Presidenti turk Taip Rexhep Erdogan akuzoi Gjermaninë dhe Holandën si nazistë, pasi këto vende bllokuan përpjekjet turke.

Kryeministri holandez Mark Rutte tha se komentet e Erdogan ishin të papranueshme, pasi nuk mund të akuzohet si nazist një vend që u bombardua nga nazistët në luftë. Rute shtoi se nëse Turqia vazhdon në rrugën e saj, Holanda do të konsiderojë përgjigjen.

Në të njëjtin kuadër, ministri i jashtëm i Gjermanisë Sigmar Gabriel tha se shpreson që turqia të ndryshojë qëndrim, ndërsa  kryeministri danez Lars Lokke Rasmussen, shtyu një takim të planifikuar me Erdogan, pasi tha se parimet e demokracisë janë të kërcënuara në Turqi. Rasmusen shtoi se e shtyu takimin, sepse ai nuk mund të zhvillohej i ndarë nga situata e krijuar pas sulmeve verbale turke ndaj Holandës.

Qëllimi i mitingjeve të organizuara nga qeveria turke ishte që të nxisnin turqit që jetojnë në Evropë që të votojnë për të mbështetur referendumin që zgjeron fuqitë e presidentit. Por mitingjet e planifikuara në Gjermani, Austri dhe Holandë u ndaluan nga autoritetet vendase që e justifikuan këtë me shqetësime për sigurinë dhe rritje tensionesh.

Megjithatë, ministri gjerman i brendshëm Thomas de Maiziere u tregua mjaft i qartë dhe tha se fushat zgjedhore turke nuk ka punë në gjermani. Me referendumin e 16 prillit, Turqia do të vendosë nëse do të kthehet në një republikë presidenciale duke i dhënë Erdoganit superfuqi.

Miliona turq jetojnë jashtë vendit dhe qeveria kërkon që të marrë votat e tyre. Por duket se Ankaraja nuk kishte llogaritur reagimin e vendeve perëndimore që ndaluan mitingjet, diçka që zemëroi tej mase presidentit Erdogan.

Top Channel