Survejimi në Gjermani, siguria lë pas privatësinë

10/03/2017 00:00

Survejimi publik me videokamera do të bëhet shumë më i zakonshëm në Gjermani, pasi dhoma e ulët e parlamentit miratoi një paketë masash sigurie.

Tashmë shqetësimet për sigurinë do të kenë peshë më të madhe se sa privatësia, kur zona si qendrat tregtare të kërkojnë leje për të instaluar kamera.

Vetëm me masat e reja, policia federale gjermane do të marrë pajisje për të skanuar targat e makinave. Kujtimet e këqija të spiunazhit shtetëror në periudhën komuniste e kishin mbajtur Gjermaninë larg fuqive të survejimit.

Por sulmet masive seksuale në Këln natën e fundit të 2015-s dhe një seri sulmesh ndaj civilëve në Korrik, bënë që ministri i brendshëm Thomas de Maiziere të paraqesë ligjin me masa të reja.

Presioni për masa më të efektshme sigurie u rrit shumë edhe pas sulmit me kamion të Dhjetorit të shkuar në një treg Krishtlindjesh në Berlin. Sipas parlamentit gjerman, sulmet e kohëve të fundit kanë bërë të nevojshëm amendimin e rregulloreve për survejimin video.

Pavarësisht ndryshimeve, janë sërish autoritetet lokale që japin miratimin final kur vende si qendrat tregtare, stadiumet apo parkingjet duan të instalojnë kamera. Por tashmë mbrojtja e jetës, shëndetit apo lirisë merr peshë më të madhe.

Edhe policët do të vendosin kamera të vogla në trup, megjithëse kritikët kanë vënë në dyshim këto masa. Sipas tyre, në Këln kishte mjaft kamera gjatë sulmeve masive seksuale, por nuk shërbyen, pasi mungonte monitorimi efektiv i tyre.

Top Channel