Zbulimet e Wikileaks, CIA zhytet në telashe

08/03/2017 00:00

Të ndodhur në mes të një vorbulle polemikash me presidentin Donald Trump, si pasojë e pretendimeve të tij se spiunët po zbulojnë sekrete me qëllim që ta dëmtojnë atë, tani CIA përballet edhe me rrjedhjet e veta të dëmshme të informacionit.

Këtë radhë, është armiku i njohur i komunitetit amerikan të zbulimit, Wikileaks, që me një numër dokumentesh sekrete zbulon aftësitë teknike të CIA-s. Agjencia Kombëtare e Sigurisë u përball me probleme kur Edward Snowden ia dha dokumentet gazetarëve, por këtë radhë, bëhet fjalë për agjencinë simotër të NSA-së.

Ndërsa kjo e fundit është një agjenci që ka si detyrë mbledhjen e të dhënave të inteligjencës, detyra e CIA-s është rekrutimi i spiunëve, por realiteti është që ana teknike dhe ajo njerëzore e spiunazhit, janë përafruar shumë së fundmi.

CIA krijoi një drejtori të inovacionit dixhital, drejtori i të cilës thotë se prioritet është garantimi që agjencia të qëndronte në krye për sa i takon teknologjisë. Ndërsa stafi i NSA mund të ndërhyjë në trafikun global të internetit në kërkim të informacioneve, prioritet i CIA-s është aksesi tek objektiva specifike që i interesojnë. Dhe hyrja në aparaturat elektronike të dikujt mund të jetë thelbësore nëse i ke ata në shënjestër, nëse tenton ti rekrutosh si agjent apo për një sulm me dron kundër një terroristi të dyshuar.

Rrjedhjet më të fundit të informacionit mund të jenë një problem i madh për CIA-n, ashtu si edhe ato të Snowden-it për NSA-në. Ka edhe një faktor tjetër të sikletshëm, që një agjenci, puna e të cilës është të vjedhë sekretet e të tjerëve, nuk ka mundur të ruajë sekretet e veta.

Kësaj i shtohet edhe informacioni se konsullata amerikane në Frankfurt është përdorur si bazë për operacione teknike që mund të shkaktojnë probleme në gjermani, ku zbulimet e Snowden shkaktuan debat intensiv të brendshëm.

Wikileaks ka thënë se dokumentet e fundit kanë ardhur nga një ish-haker apo kontraktor i qeverisë amerikane, ndërkohë që vetë CIA do të përpiqet shumë tani të përcaktojë burimin e rrjedhjes së fundit të informacionit dhe kohën e publikimit të tij, pasi gjithçka po ndodh në mesin e një përplasjeje në intensifikim e sipër mes komunitetit amerikan të inteligjencës dhe vetë presidentit amerikan.

Top Channel