Rreth 2000 fermerë nga Kreta protestuan në qendër të Athinës kundër politikave qeveritare në sektorin e bujqësisë.
Protestuesit mbërritën në Portin e Pireut gjatë orëve të mëngjesit dhe në vazhdim marshuan drejt Ministrisë së Bujqësisë në sheshin “Vathis”. Pak para godinës së Ministrisë së Bujqësisë, policia bllokoi turmën, duke shkaktuar zemërimin e fermerëve, të cilët qëlluan me gurë kundër forcave të policisë, të cilat u përgjigjën me gaz lotsjellës.
Përballja vazhdoi për disa minuta. Në përkrahje të fermerëve janë rreshtuar edhe punonjësit e Ministrisë së Bujqësisë, të cilët paralajmëruan se i bashkohen protestës në shenjë solidariteti që prej orës 10 të paradites dhe për 24 orët në vazhdim.
Sindikata e Fermerëve njoftoi më herët se protesta do të zhvendoset në sheshin “Sindagma”, ku mijëra fermerë do të protestojnë jashtë Parlamentit kundër politikave të shtrënguara të qeverisë Tsipras në sektorin e bujqësisë.
Top Channel