Komentet e Erdogan, Merkel: Të pajustifikueshme

06/03/2017 00:00

Në një përshkallëzim të tensioneve diplomatike mes Turqisë dhe Gjermanisë, kancelarja Angela Merkel i quajti të pajustifikueshme komentet e presidentit Rexhep Taip Erdogan lidhur me nazizmin.

Duke kritikuar vendimin e autoriteteve gjermane për të anuluar fjalimet e politikaneve turq në qytetet e Gugenaut dhe Kelnit, ai vuri shenjën e barazimit mes praktikave të Gjermanisë së sotme dhe nazizmit.

Merkel u kundërpërgjigj të hënën duke akuzuar Erdoganin për minimizimin e masakrave të kryera nga regjimi Hitlerian.

“Komente te tilla janë të pajustifikueshme dhe nuk duhet të merren seriozisht, sidomos në kontekstin e një fushate zgjedhore për rikthimin e sistemit presidencial në Turqi. Por personalisht mendoj se krahasimet me nazizmin çojnë vetëm drejt një gjëje, minimizimit të krimeve naziste.”

Të njëjtin qëndrim pati më herët edhe zëdhënësi i qeverisë Steffen Zajbert, i cili beri thirrje për ruajtjen e qetësisë përballë tensioneve në rritje. Çështja u diskutua edhe gjate një takimi të ministrave të Jashtëm të BE në Bruksel, me disa pjesëtarë që kërkuan rishikimin e rregullores së BE lidhur me prezantimin e fushatave nga politikanë të huaj.

Kancelari austriak Christian Kern e sllovaku Miroslav Lajcak kërkojnë të ndalohen fushatat e politikaneve turq në vendet e Bashkimit Europian, për një referendum qe synon t’i japë kompetenca të reja Erdoganit.

Por ministri gjerman Sigmar Gabriel iu përgjigj me skepticizëm thirrjeve të kolegeve, duke e venë theksin tek nevoja për të zbutur mosmarrëveshjet.

Top Channel