Kina rishikon me ulje rritjen ekonomike për 2017-n

05/03/2017 00:00

Objektivi për rritjen ekonomike të Kinës për këtë vit është ulur në rreth 6.5 për qind, nga 6.5-7 për qind që ishte vitin e kaluar. Njoftimi vjen nga vet kryeministri kinez, Li Keqiang, teksa fliste përpara Kongresit Popullor Kombëtar (NPC), Parlamentit “kukull” që është mbledhur në Pekin për sesionin e përvitshëm, funksioni i të cilit është thjesht miratimi i ligjeve të sjella nga kreu i shtetit.

Ekonomia kineze është rritur me ritmet me të ulëta në 26 vite gjatë vitit të kaluar. Li Keqiang tha se do të fokusohet më së shumti në trajtimin e “kompanive shtetërore fantazmë” të cilat prodhojnë më shumë qymyr e çelik se ç’ka nevojë tregu. Angazhime të ngjashme në të kaluarën kanë rezultuar tejet të vështira për t’u përmbushur.

Më shumë se 3.000 delegatë ligjvënës janë duke u takuar në sallën e madhe të popullit. Kongresi Popullor Kombëtar dhe trupa këshillimore  e saj zhvillojnë takime ceremoniale çdo vit, takime që njihen si “lianghui” apo dysesionëshe.

Kryeministri kinez e përshkroi ekonominë e dytë më të madhe të botës si një flutur që ende nuk ka dalë nga lëvorja e saj. Megjithatë, ai tha se transformimi është i mbushur me premtime, por edhe me dhimbje të mëdha.

Ai i thuri lavde në mënyrë të përsëritur udhëheqësit të Partisë Komuniste, Xi Jinping, teksa shtoi se nën udhëheqjen e zëshme të partisë, populli kinez ka pasur kurajon dhe gjenialitetin për të tejkaluar të gjitha vështirësitë.

Mes listës së vështirësive të Kinës, sipas tij, përfshihet smogu, që ka mbështjellë thuajse pjesën më të madhe të vendit të tij, si dhe përtacinë e disa prej zyrtarëve qeveritarë të vendit. Ndërsa në një referim të dukshëm ndaj akuzave të presidentit amerikan, Donald Trump, mbi kursin e këmbimit dhe politikat tregtare të Kinës, Li Keqiang paralajmëroi për një panoramë globale shumë më të komplikuar në vitin aktual, për shkak se Kina përballet me kërcënimin në rritje të proteksionizmit.

Sipas asaj që raporton “Reuters”, udhëheqësit e NPC-së janë duke toleruar një rritje më të ngadalshme ekonomike këtë vit, në mënyrë që të kenë më shumë hapësira për të ndërmarrë reforma të dhimbshme për t’u përballur me një rritje të shpejtë të borxheve. Sa i përket luftës ndaj ndotjes në vend, Li Keqiang premtoi se “do të punojë më fort” për të zgjidhur problemin shqetësues të përkeqësuar nga industria e rëndë.

“Do t’i bëjmë qiejt tanë blu sërish”, tha ai, duke shtuar se “të gjitha burimet e ndotjes industriale do të vihen nën një monitorim të rreptë “online”. Sesioni i sivjetshëm vjen përpara një Kongresi të rëndësishëm të Partisë Komuniste kineze, që pritet të mbahet më vonë gjatë vitit. Kongresi pritet të konfirmojë mandatin e dytë në krye të shtetit të presidentit Xi, sikurse do të njoftojë edhe ndryshime mes udhëheqësve të lartë të partisë.

Top Channel