Francë, mijëra vetë në shesh për Fillon

05/03/2017 00:00

Gara e tij për presidencën është vënë në dyshim për shkak të një hetimi kriminal, por mbështetja e mijëra njerëzve i dha hov të ri kandidatit të republikanëve Fransua Fillon. 

Në një fjalim përpara mijëra përkrahësve, shumica e të cilëve me flamujt tringjyrësh në duar, Fillon u kërkoi atyre të mos rreshtnin së luftuari, pasi shumë shpejt do të çlirohej nga akuzat se kishte paguar gruan dhe fëmijët, për punë fiktive.

“Ata mendojnë se unë jam i vetëm, ata duan që unë të jem ashtu. Por a jemi të vetëm ne? Ju falënderoj shumë për praninë tuaj këtu”, tha Fillon para mbështetësve

Manifestimi konsiderohet një test kyç për popullaritetin e Fillon, në një kohë kur po shtohen thirrjet për tërheqjen e tij nga gara. 

Madje pak para tubimit, Christian Estrosi, aleat i ngushtë i ish presidentit Nikolas Sarkozi tha për një televizion se zyrtarët e lartë republikanë do të propozonin një kandidat tjetër gjatë orëve në vazhdim. 

Megjithatë ai theksoi nevojën për të mos e turpëruar Fillon, e për ti mundësuar atij një largim dinjitoz. Por gjatë fjalimit të së dielës, kandidati i republikanëve tha se në fund do të ishin akuzuesit e tij që do të ndiheshin të turpëruar. 

Megjithatë e pranoi se punësimi i bashkëshortes kishte qenë një gabim. Me organizimin e një manifestimi të tillë, Fillon arriti të provojë se ai dhe platforma e tij politike gëzojnë mbështetje të konsiderueshme mes votuesve të së djathtës, dhe se ai mund ti tejkalojë sfidat. 

Njohës të çështjeve politike në Francë pretendojnë se ideja e zëvendësimit të tij me një kandidat tjetër duket tani më e komplikuar. 

Ndërkaq qindra njerëz morën pjesë në një tjetër protestë në sheshin e Republikës, kundër korrupsionit dhe gjithashtu Fransua Fillon-it. 

Top Channel