Vrasja e vëllait të Kim, Malajzia dëbon ambasadorin koreano-verior

04/03/2017 00:00

Qeveria në Malajzi ka dëbuar ambasadorin e Koresë së Veriut pas kritikave të tij ndaj hetimeve mbi vrasjen e Kim Jong nam, gjysmëvëllai i liderit koreano-verior, Kim Jong un.

Ambasadori Kang Chol, sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, duhet të largohet nga Malajzia brenda 48 orëve, në bazë të një urdhëri të dhënë nga Ministria e Jashtme.

Qeveria malajziane kërkoi prej tij të kërkonte ndjesë, për faktin se diplomati deklaroi se, Korea e Veriut nuk kishte besim tek menaxhimi i hetimeve nga autoritetet malajziane. Por ndjesa nuk erdhi.

Kim Jong nam, vëllai nga babai i Kim Jong un, humbi jetën 3 javë më parë në aeroportin e Kuala Lumpurit, pasi dy gra hodhën gaz nervin VX në fytyrën e tij.

Malajzia nuk ka fajësuar në mënyrë direkte Penianin për këtë vrasje, por dyshimet mbi regjimin komunist janë të pashmangshme.

Ambasadori Kang, që ishte kthyer në një kritik të ashpër të vendit pritës, deklaroi se, hetimi mbi vrasjen ishte politizuar dhe ishte bërë subjekt i ndërhyrjeve të huaja.

Top Channel