Nacionalizmi fiton terren në Holandë

04/03/2017 00:00

Vota e holandezëve po anon gjithmonë e më shumë nga ekstremi i djathtë, edhe pse mirëqenia e tyre është rritur.

Në fshatin Volendam, të njohur për peshkimin, zor se ka vend për pakënaqësi. Zona ka njohur begati, krimi dhe papunësia janë në nivele të papërfillshme. E megjithatë, në zgjedhjet e 15 marsit, një e treta e votuesve atje është thuajse e sigurtë se do të mbështesin nacionalistin, Geert Wilders.

Tërheqja e njerezve ndaj tij nxjerr në pah paradoksin që po sfidon status quo-në e demokracive perëndimore e po irriton Bashkimin Europian: votuesit po i largohen rrymës qendrore në favor të populizmit në rritje dhe ndjenjave kundër establishmentit. 

Tendenca është veçanëristht e qartë në Holandë, megjithëse ekonomia e saj është në rrugën e arritjes së perfomancës më të mirë të Eurozonës për këtë vit.

Kjo prirje e holandezëve, shpjegon politologia Sarah de Lange e Universitetit të Amsterdamit, lidhet mbi të gjitha me kulturën dhe identitetin e ka pak të bëjë me ekonominë. Ajo i bën jehonë pakënaqësisë që nxiti Brexit-in dhe zgjedhjen e Donald Trumpit President në SHBA.

“Po mendojeni pak çfarë rrëmuje do të bëhej në një kopësht zoologjik nëse të gjitha kafazet do të liheshin të hapur? Kjo është ajo që po ndodh aktualisht në Europë”, thotë pensionisti Willem Veerman.
 
Sondazhet e opinionit tregojnë se partia e Wilders-it për liri do t’i dyfishojë vendet e saj në Parlament duke i çuar në 26, ndërsa konservatorët e kryeministrit Mark Rutte pritet të marrin vetëm 27 vende nga 41 që kanë aktualisht.

Rënie do të kenë partnerët e tij të koalicionit, laburistët që nga 38 vende, parashikohet të sigurojnë vetëm 14. Por duke qenë se partitë e qendrës e përjashtojnë mundësinë e një aleance me Wilders-in, ai me të gjitha gjasat do të përfundojë sërish në opozitë.

Top Channel