Sessions nën akuzë, fshehu takimet me ambasadorin rus

02/03/2017 00:00

Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions është takuar dy herë me ambasadorin rus gjatë fushatës presidenciale të Donald Trumpit vitin e kaluar, siç konfirmon qeveria amerikane.

Sessions, në atë kohë senator, tha gjatë seancës së konfirmimit në muajin janar se nuk kishte pasur kontakte me rusë gjatë fushatës. Në një reagim gjatë së mërkurës, ai këmbënguli se nuk ishte takuar me asnjë zyrtar rus për të diskutuar për çështje që kishin lidhje me fushatën. Siç raporton “Washington Post”, konfirmuar më pas edhe nga Departamenti i Drejtësisë, në muajin shtator Sessions kishte zhvilluar një bisedë private në zyrën e tij me ambasadorin Sergei Kislyak, e kishin folur edhe më herët gjatë verës, bashkë me disa ambasadorë të tjerë.

“Washington Post” raporton se ai që tani është emëruar Prokuror i Përgjithshëm kishte zhvilluar takime me 25 diplomatë të huaj gjatë vitit, por takimet me Kislyak ishin kryer kur ai ishte pjesë e rëndësishme e ekipit të Trumpit, pikërisht mes pretendimeve të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane. Demokratët e akuzojnë Session për dëshmi të rreme dhe i bëjnë thirrje të dorëhiqet. Ata i kërkojnë gjithashtu të tërhiqet nga një hetim i FBI-së, i mbikqyrur nga Session si Prokuror i Përgjithshëm, lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane e kontaktet me zyrtarë rus të personave të përfshirë në fushatë.

Shërbimet sekrete kanë arritur në përfundimin se sulmet kibernetike kundër organizatave demokrate ishin kryer për të ndihmuar Trumpin të mundë Hilari Klintonin në zgjedhje. Edhe këshilltari për sigurinë i Donald Trumpit, Michael Flynn u bë shënjestër e akuzave për kontakte të padeklaruara me Moskën, çka çoi edhe në shkarkimin e tij.

Top Channel