BE, viza amerikanëve. PE miraton rezolutën

02/03/2017 00:00

Shtetasit amerikanë mund të detyrohen të udhëtojnë vetëm të pajisur me viza drejt shteteve anëtare të BE-së që nga fillimi i verës 2017.

Në Bruksel, eurodeputetët kanë votuar me shumicë absolute në seancë plenare, rezolutën drejtuar Komisionit Europian për vendosjen e përkohshme të vizave, fillimisht për një afat njëvjeçar për shtetasit amerikanë.

Komisioni Europian ka dy muaj kohë që të bëjë ndryshimet e duhura ligjore dhe teknike për të detyruar pas kësaj amerikanët të aplikojnë për vizë në ambasadat e vendeve anëtare të BE-së.

Votimi i sotëm në Bruksel është kundërpërgjigje ndaj vendimit të Uashingtonit për të mos hequr vizat për shtetasit nga Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Polonia dhe Rumania.

Kjo procedurë është hapur që nga viti 2016, pas reagimit negativ nga autoritetet amerikane për të hequr vizat për të gjitha shtetet anëtare të BE-së, e për të zbatuar kështu në praktike parimin e reciprocitetit.

Vendosja e regjimit të vizave për shtetasit amerikanë do t’i sjellë BE-së një humbje prej 6.8 miliardë eurosh, humbjen e të paktën 140 mijë vendeve të punës, sidomos në industrinë e turizmit, dhe për pasojë një ulje me 22% të numrit të vizitave nga shtetasit amerikanë në vendet e BE-së.

Top Channel