Evakuimi i Alepos, pritet dorëzimi i plotë i qytetit

22/12/2016 00:00

Karvanët e autobusëve dhe makinave me rebelë e civilë rinisën udhëtimin e tyre të ngadaltë për t’u larguar nga qyteti i rrethuar i Alepos mes borës dhe temperaturave nën zero, pasi forcat rebele dhe ato qeveritare riparuan disi armëpushimin e brishtë për të lejuar largimin e banorëve para dorëzimit final të qytetit.

Raportohet se pak njerëz kanë mbetur në zonën e fundit që kontrollohet nga rebelët në Alepo, pasi më shumë se 25 000 të tjerë janë larguar drejt sigurisë relative të zonave që kontrollohen nga rebelët në provincën e Alepos dhe Idlibit.

Pas shkeljes së fundit të marrëveshjes së evakuimit, ata pritën thuaje 24 orë në temperatura të ulëta pa ushqim apo ngrohje, derisa palët ranë sërish dakord për rinisjen e evakuimit.

Grupet e ndihmës humanitare raportojnë se edhe ata që janë larguar përballen me një situatë të vështirë, pasi Idlibi ku kanë shkuar është ende zonë lufte, pavarësisht se po pëson shumë më pak bombardime në krahasim me Alepon.

Mësohet se më shumë se 60 autobusë dhe qindra mjete private janë gati të nisen nga Alepo dhe pas largimit të tyre, pritet që qeveria e Bashar al Asad të lajmërojë kontrollin e plotë të qytetit. Alepo, kryeqyteti tregtar i vendit para luftës, ishte gjithashtu edhe qendra e fundit e madhe urbane që kontrollohej nga rebelët. Mposhtja e tyre në Alepo do të thotë se lufta e opozitës shndërrohet në një revoltë rurale.

Top Channel