“NORAD”, gati për gjurmimin e babagjyshit të Vitit të Ri

20/12/2016 00:00

Komanda e mbrojtjes hapësinore të Amerikës së Veriut, e njohur edhe si “NORAD”, po përgatitet të gjurmojë udhëtimin e babagjyshit të Vitit të Ri nëpër botë, mbrëmjen e Krishtlindjes.

“NORAD” zakonisht është përgjegjëse për monitorimin e kërcënimeve të mundshme në çdo hapësirë ajrore apo detare, por çdo sezon Krishtlindjeje fokusohet te një figurë që është gjithçka tjetër, por jo një kërcënim: babagjyshi i Vitit të Ri. Dhe kjo është një traditë që daton prej vitit 1955.

Babagjyshi do të ngasë slitën e tij të drerëve, në udhëtimin e tij të përvitshëm për t’u shpërndarë dhurata fëmijëve në të gjithë botën. Sistemet satelitore të “NORAD”-it, radarët e fuqishëm dhe avionët ushtarakë do ta vëzhgojnë atë në çdo hap.

Drejtori i “NORAD”-it për gjurmimin e babagjyshit, Preston Shlahter thotë se, faqja e internetit e komandës është klikuar 20 milionë herë Krishtlindjen e kaluar dhe në qendrën operative janë marrë 141 mijë telefonata në 23 orët para Krishtlindjes. Ai shton se, agjencia edhe një herë është në gatishmëri të plotë për gjurmimin e babaxhanit me kostum të kuq dhe mjekër të bardhë.

“Zbuluesit tanë këtu në veri thonë se, babagjyshi e përjeton kohën disi më ndryshe nga ne të tjerët, në mënyrë që të shkojë te çdo shtëpi dhe te çdo fëmijë i botës. Por ai fluturon më shpejt se drita dhe ndalon kudo brenda një periudhe magjike 24-orëshe”, tha ai.

“NORAD” paralajmëron gjithashtu pilotët të mos fluturojnë afër babagjyshit dhe drerëve të tij, në mënyrë që të mos ndërhyjnë në udhëtimin e tij përreth globit.

Top Channel