Hetimet për sulmin në Berlin

20/12/2016 00:00

Edhe pse policia në fillim ngurroi ta përkufizonte si të tillë, deklarata e ministrit të Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere nuk lë shteg për dyshime: sulmi i Berlinit ishte akt terrorist.

Njeriu që përplasi kamionin e vdekjes mbi tregun e shumëpopulluar të Krishtlindjeve në zemër të kryeqytetit gjerman është azilkërkues pakistanez e ka hyrë në Gjermani si refugjat shkurtin e këtij viti. Aktualisht ai po merret në pyetje nga autoritetet e sigurisë. Personi që vrau 12 vetë e plagosi 48 të tjerë, sipas të përditshmes Tagesspiegel njihej nga policia për shkelje të vogla, por jo për lidhje me terrorizmin.

Pasi përplasi kamionin me tezgat e tregut që gëlonte nga njerëzit, si vendas, ashtu edhe turistë, autori i sulmit është larguar në këmbë. Ai ka tentuar të shfrytëzojë erresirën për t’u fshehur me parkun e madh publik Tirgarden, por një dëshmitar okular e ndoqi nga pas për rreth 2 km dhe lajmëroi policinë për vendndodhjen e tij.

Një shtetas polak u gjet i vdekur në kamion. Ai është me shumë gjasa shoferi i vërtetë, të cilin refugjati mund ta ketë vrarë për t’i marrë mjetin. Kamioni me targa polake, sipas Corriere della Sera-s kishte kaluar nga Italia e pasi të linte ngarkesën e shufrave të çelikut në Berlin, do të rinisej drejt Polonisë.

Kushëriri i shoferit përjashton çdo përfshirje të tij në aktin terrorist. “Jemi rritur bashkë. Vë dorën në zjarr për të”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë shprehu ngushëllimet e saj për viktimat e sulmit që risolli në mendje tragjedinë e Nices, ndërsa ligjvënësi euroskeptik gjerman Marcus Pretzell shkroi menjëherë në Twitter se faji për ngjarjen e rëndë duhet kërkuar tek politika e dyerve të hapura të Angela Merkelit. “Këta janë të vdekurit e saj”, ishte komenti i Pretzell.

Top Channel