Siguria kibernetike bllokon një pjesë të faqeve në internet nga një alarm global, mund të prekë edhe shërbimet qeveritare Kolegji Elektoral amerikan pritet të zgjedhë gjatë ditës së sotme edhe zyrtarisht Donald Trumpin si presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, në një votim që si zakonisht është veçse rutinë, por që këtë herë ndodh mes akuzave për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje me synimin për të ndikuar.
Në takimet e parashikuara në kryeqytetet e secilit shtet, si dhe në Distriktin e Kolumbias, 538 zgjedhësit e institucionit në fjalë, që përgjithësisht zgjidhen nga partitë e shtetit respektiv, do të hedhin votat për presidentin dhe zëvendëspresidentin.
Ka shumë pak gjasa, për të mos thënë aspak, që votimi të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit, që i dha Trumpit çelësat e Shtëpisë së Bardhë pasi fitoi shumicën e votave të Kolegjit Elektoral. Megjithatë, vota popullore shkoi për demokraten Hillary Clinton.
Por, përfundimi i disa agjencive amerikane të shërbimeve sekrete se Rusia kishte ndërhyrë në mënyrë pirate në “e-mail”-et e Komitetit Kombëtar Demokratik në përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e zgjedhjeve dhe për të favorizuar Trumpin, ka detyruar demokratët të nxisin disa prej zgjedhësve të tyre të mos votojnë ashtu siç ua ka kërkuar vota popullore në shtetin e tyre.
“E-mail”-et e nxjerra zbuluan detaje të fjalimeve të Clintonit të paguara nga “Wall Street”, betejat e brendshme partiake dhe kritikat e brendshme në lidhje me përdorimin nga ana e ish-Sekretares së Shtetit të serverit privat për të dërguar “e-mail”-e shtetërore. Zbulimi çoi në një mbulim shqetësues mediatik dhe detyroi disa prej zyrtarëve të partisë të jepnin dorëheqjen.
Trump dhe ekipi i tij i tranzicionit mohojnë pretendimet e agjencive sekrete mbi ndërhyrjen ruse, duke akuzuar demokratët dhe aleatët e tyre se po përpiqen të minojnë legjitimitetin e fitores së tij në zgjedhje. Edhe zyrtarët rusë kanë mohuar akuzat për ndërhyrje në zgjedhje.
Numri i zgjedhësve në Kolegjin Elektoral është i barabartë me numrin e përfaqësuesve dhe senatorëve në Kongres, me secilin shtet që merr thuajse një numër përpjestimor me popullsinë e tij. Kur votuesit shkojnë në kutitë e votimit për të hedhur votën për presidentin, ata faktikisht zgjedhin propozuesin e kandidatit presidencial të preferuar për shtetin e tyre. Një kandidat duhet të sigurojë 270 vota elektorale për t’u zgjedhur, ndërsa Trumpi fitoi 306 nga 30 shtete në zgjedhjet e 8 nëntorit.
Nëse asnjë kandidat nuk arrin 270 vota në Kolegjin Elektoral, presidenti zgjidhet nga Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit, aktualisht e kontrolluar nga republikanët.
Top Channel