Siri, koalicioni anti-ISIS shkatërron sistemin antiajror në Palmira

16/12/2016 00:00

Forcat e koalicionit anti-ISIS, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë shkatërruar 14 tanke, një sistem artilerie të mbrojtjes antiajrore, si dhe të tjera armatime në afërsi të qytetit sirian të Palmirës, kontrollin e të cilit militantët e Shtetit Islamik ua morën këtë muaj forcave siriane.

Një video e Departamentit amerikan të Mbrojtjes tregoi momente të këtij sulmi ndaj antiajrorëve të grupit militant xhihadist. Goditja pason paralajmërimin e ushtrisë amerikane se mund të shkatërrojë armë që i konsideron si të rrezikshme për forcat e koalicionit në rajon.

Paralajmërimi i kryegjeneralit amerikan që drejton luftimet kundër grupit xhihadist erdhi bashkë me kushtin, nëse forcat e Rusisë dhe Sirisë nuk do të ndërmerrnin veprime në Palmira.

Militantët e Shtetit Islamik rimorën Palmirën të dielën, duke shënuar kështu një avancim të rëndësishëm për shkak të fokusimit të forcave siriane dhe ato ruse në Aleppo. Palmira ka qenë nën kontrollin e ISIS edhe vitin e kaluar, për thuajse 10 muaj.

Top Channel