Ukraina, BE-ja zgjat me 6 muaj sanksionet ndaj Rusisë

15/12/2016 00:00

Vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë miratimin e tyre për zgjatjen e sanksioneve kundër Rusisë. Kështu është shprehur presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, me të mbërritur në kryeqytetin belg për samitin e fundit të këtij viti.

Tashmë është arritur akordi sa u përket sanksioneve, tha ajo. “Të gjithë shtetet anëtare e kanë kuptuar se kjo gjë është e paevitueshme”, shpjegoi presidentja lituaneze, duke theksuar se “procedura e shkruar është në përfundim”.

Udhëheqësit e BE-së synonin të arrinin një vendim politik gjatë kësaj të enjteje mbi zgjatjen e sanksioneve me natyrë ekonomike ndaj Rusisë për një tjetër 6-mujorsh, pasi sanksionet aktuale të vendosura ndaj Moskës për shkak të ndërhyrjeve në Ukrainë skadojnë më 31 janarin e ardhshëm.

Ambasadori rus në Bashkimin Europian, Vladimir Chizhov tha më herët për “Itar-Tass” se BE-ja po zgjeron sanksionet për hir të ruajtjes së unitetit, i cili në vetvete është bërë një objektiv gjithashtu.

“Së pari, disa vende të rëndësishme të BE-së kanë thënë se sanksionet ose duhen hequr fare, ose duhen lehtësuar, por menjëherë pas tyre, disa vende të vogla por të zhurmshme kërkuan që sanksionet të zgjateshin e madje të zgjeroheshin. Në këtë moment, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk u ngrit si arbitër dhe tha: ‘Uniteti ynë është në rrezik, kështu që le t’i lëmë kështu siç janë. A dëshiron dikush të votojë kundër?’. Një vendim i njëanshëm u mor sot”, tha Chizhov teksa përshkruante situatën.

Top Channel