“Times Square”, nisin përgatitjet për të pritur Vitin e Ri

15/12/2016 00:00

Një 17 gjigante mbërriti në “Times Square” të Nju Jorkut, ku organizatorët kanë nisur përgatitjet për kremtimet e vigjiljes aq të veçantë të Vitit të Ri.

“Për mua, numërimi së prapthi zyrtarisht nis kur në këtë shesh vjen numri 17. Praktikisht kemi edhe 16 ditë kohë. Përgatitjet kanë filluar. Kemi rezervuar artistët, pjesëtarët e ekipeve të produksionit do të vijnë javën që vjen, për të filluar me ngritjen e skenës e çdo gjë tjetër të nevojshme për eventin më të madh të Nju Jorkut”, tha Jeffrey Straus, organizator.

Dy numrat e vitit që hyn u ekspozuan për fotografi e po kontrollohen mirë përpara instalimit këtë fundjavë në majën e një qiellgërvishësi. Numrat do të ndizen kur sfera e kristaltë, ikonë, të nisë rënien duke shënuar kështu fundin e 2016-s dhe hyrjen e Vitit të Ri.

Mbi një milion vetë pritet të mbushin “Times Square”-n dhe rrugët përreth tij për kremtimet e përvitshme, që përfshijnë edhe aktivitete muzikore, të cilat zgjasin gjatë të gjithë ditës deri në mesnatë. Shumë të tjerë pritet ta përjetojnë momentin e veçantë nga televizori, duke e ndjekur në transmetim të drejtpërdrejtë.

“Jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se ky është një event global dhe sidomos tani, në një vit si ky, kur bota është kaq e trazuar e po ndërton mure, rëndësia e tij shtohet dhe merr tjetër peshë në qytetin më ndërkombëtar të globit, me kaq shumë të ardhur dhe emigrantë që e bëjnë këtu pelegrinazhin e tyre. Pikërisht tani e ndiejmë edhe më shumë rëndësinë e lidhjes së njerëzve dhe transmetimit për të gjithë botën”, tha Tim Tompkins, organizator.

Me temperaturat që kanë rënë në minus 4 gradë Celsius, e që mund të jenë po kështu të ulëta më 31 dhjetor, Straus ka një këshillë sesi mund të qëndrohet ngrohtë: një përqafim global, siç e quan ai, edhe pse shpreson shumë që moti deri atëherë të zbutet paksa.

Top Channel