OKB: Bombardimet në Aleppo janë krime lufte

15/12/2016 00:00

Bombardimet në pjesët e fundit të Aleppos që mbaheshin nga rebelët, përbëjnë ndoshta një krim lufte – thotë shefi i agjencisë së kombeve të bashkuara për të drejtat e njeriut.

Një marrëveshje për evakuimin e luftëtarëve rebelë dhe civilëve nga Aleppoja lindore, duket se nuk po funksionon, kjo pas raportimeve për bombardime të rënda.

Aktivistët sirianë thonë se sulmet ajrore rifilluan në territorin e kontrolluar nga rebelët, ku të paktën 50 mijë civilë mbeten të bllokuar. Kombet e bashkuara thonë se operacionet e qeverisë siriane dhe aleatëve të saj në një zonë të mbushur me civilë,  përbëjnë një shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Vala më e fundit e dhunës vjen pavarësisht armëpushimit për të cilin u ra dakord vetëm një ditë më parë. Zeid Raad al-Hussein, komisioneri i kombeve të bashkuara për të drejtat e njeriut, tha se qeveria siriane kishte përgjegjësinë e qartë për të garantuar sigurinë e njerëzve.

“Mënyra se si u arrit kjo marrëveshje përballë kësaj popullate në vështirësi ekstreme, të cilës i solli shpresë se mund të jetojnë për të parë edhe një tjetër ditë, dhe më pas u shkel me të dyja këmbët pa kaluar as gjysmë dite, është jashtëzakonisht mizore”, tha ai.

BBC shkruan ndërkohë se forcat perëndimore po përdorin satelitë dhe dronë për të mbledhur prova për krime të mundshme lufte në Aleppo dhe të tjera zona të Sirisë. Aleppoja lindore ka qenë në duart e rebelëve që nga 2012, por ata janë shtrënguar të tërhiqen në zona akoma më të ngushta, muajt e fundit, pas një ofensive të qeverisë, mbështetur nga fuqia ajrore ruse.

Javët e fundit, trupat qeveritare avancuan shumë dhe ushtria ruse tha të mërkurën se rebelët ishin kufizuar tani brenda vetëm 2.5 km katror në qytet. Sipas marrëveshjes së evakuimit, të ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia, civilët dhe rebelët nga Aleppo-ja lindore duhet të lejoheshin të largoheshin drejt zonave të kontrolluara nga rebelët në veri të vendit.

Luftimet u ndalën mbrëmjen e të martës, por evakuimet, që do të fillonin në orën 5 të mëngjesit të së mërkurës, nuk u realizuan dhe autobusët u kthyen bosh. Bombardime të reja, u raportuan disa orë më vonë.

Top Channel