Arlind Ajeti ka eliminuar shokun e sulmuesin Edgar Canin dhe Samir Ujkanin nga Kupa e Italisë. Sfida mes Torinos dhe Pisës, që ishte edhe një derbi shqiptarësh, përfundoi me rezultatin 4-0, me të gjithë golat që u shënuan pas përfundimit të kohës së rregullt.
Kjo përballje shënonte debutimin e Ajetit në ndeshjet zyrtare me skuadrën “Granata”, që duhet pranuar vuajti jo pak për ta eliminuar Pisën, në radhët e së cilës Edgar Cani mbante edhe shiritin e kapitenit.
Madje në minutën e 60-të një ndërhyrje e gabuar e Ajetit ndaj Canit u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari.
Duhet theksuar se që nga minuta e 77 Pisa luajti me një lojtar më pak, pasi Lazzarri doli nga fusha i dëmtuar, ndërkohë që Gatuso i kishte kryer të tre ndërrimet. Në minutën e 3-të të 15-minutëshit të parë Adem Ljajic shënoi golin e parë, që e cliroi psikologjikisht Torinon. Më pas për skuadrën e Mihajlovic realizuan me radhë Maxi Lopez, Boye dhe Belotti. Në fazën e 1/8-ave Torino do të përplaset me Milanin.
Sfidën tjetër të Kupës së Italisë e transmetuar nga Supersport, Cesena befasoi Empolin, duke e mundur 1-2 në fushën e toskanëve. Pas një pjesë të parë pa gola, takimi u zhbllokua në minutën e 67-të nga Panico i Cesenës, por në të 79-ën barazoi Alberto Gilardino. Në shtesën e parë Empoli u ndëshkua nga një gol i dytë, i shënuar nga Rodriguez, që i dha kualifikimin Cesenes.
Top Channel