Kthimi i dytë i Konicës. Në Tiranë, 272 tituj të bibliotekës private

24/11/2016 00:00

Faik Konicës iu plotësua një pjesë e amanetit të tij për sjelljen pranë Bibliotekës Kombëtare të librave të tij pas vdekjes. Plot 272 libra u gjetën nga Agron Alibali dhe janë sjellë në Shqipëri nga shteti shqiptar. Kjo shtuar edhe atyre të sjella më parë.

“Biblioteka e famshme e Faik Konicës është ruajtur nga komuniteti shqiptaro-amerikan. Merita i takon së pari Fan Nolit”, tha Agron Alibali, “Frost and Fire Consulting”.

Të gjitha ato mbajnë vulën e shtampës së bibliotekës së tij me inicialet F.K.. Më e rëndësishmja është që ai zbulon edhe autorësinë e një prej pseudonimeve që ai përdorte, Pirro Bardhyli.

“Si shifër duket pak. Punë e madhe t’i kesh ato 1.900 libra. Por t’i kesh ato libra në shtëpi, dhe unë pata 272 prej tyre, është një sasi gjigante librash”, ka vijuar më tej Agron Alibali.

Nga këto libra, vetëm njëri është në gjuhën shqipe, ndërkohë që Konica ishte njohës i një dyzine gjuhësh.

“Janë që nga portugalishtja, anglishtja, gjermanishtja, italishtja, frëngjishtja, ndërsa në masë janë në latinisht. Këtu është një fjalor shumë i lezetshëm në këtë grup, fjalor i gjuhës katalanase”, shprehet Agron Alibali.

Sa i përket pjesës së mbetur të bibliotekës së Konicës, vendet ku ato dyshohen të jenë janë disa.

“Pjesa tjetër e mbetur, sasia dërrmuese, sipas mendimit tim duhet të jetë në Boston, ndërsa një pjesë ka shumë të ngjarë që të jetë në Universitetin e Chicagos. Një mundësi tjetër është edhe Universiteti i Harvardit”, shpjegon Agron Alibali.

Alibali thekson se, meritë të veçantë në këtë gjetje ka familja e shqiptaro-amerikanit të shquar, Andon Athanasit.

Top Channel