Tregjet gjermane të Krishtlindjeve janë një traditë në Britani po aq sa ç’janë dhe në Bavari. Por në vitin e 16 të çeljes së atij të Birminghamit, tregtarët shqetësohen për të ardhmen e tyre. Qyteti i dytë më i madh i Anglisë feston 50 vite partneriteti me Frankfurtin, kohë kjo më e gjatë sesa vetë anëtarësimi i Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Europian.

Në këtë lloj tregu shiten mallra, ushqime dhe pije gjermane, përfshirë këtu gjevrekët, shnitzelat e famshëm, verën e ngrohtë që serviret me stafidhe dhe birrën e grurit, të njohur ndryshe si birra e bardhë.

Personi përgjegjës për montimin e 140 tezgave është optimist sa i takon vazhdimësisë së marrëdhënieve tregtare pas “Brexit”.

“Pas shkëputjes them se gjërat do të vështirësohen disi, por do të duhen sidoqoftë vite për këtë dhe kam shpresën se do të gjendet një mënyrë që rregullat mes Gjermanisë apo BE-se dhe Britanisë të funksionojnë më së miri”, thotë Kurt Stroscher, organizues i tregut gjerman.

Sidoqoftë, nëse Britania nis e kërkon viza apo leje importi për mbajtësit e tezgave pasi të lërë bllokun, një pjesë e tyre mund të zgjedhin të mos i hyjnë telasheve.
 
“Nëse ‘Brexit’ vjen ashtu siç filloi, me paundin që mori të tatëpjetën e të tjera si këto, shumë tregtarë do të thonë: Në rregull, boll me kaq. Dua të them, shefi im që tani po mendon ta lërë këtu këtë punë nëse shkëputja do të vijë me kosto për ne”, u shpreh Tom Bunte, tregtar.

Pavarësisht rezultatit të referendumit në muajin qershor, shitjet me pakicë në Britani patën ritmin më të lartë vjetor të rritjes në më shumë se 14 vjet.

FOTO GALERI
1/13

Top Channel