A do të heqë dorë Trump nga luksi i tepërt për “Air Force One”?

11/11/2016 00:00

Në momentin kur Donald Trump udhëtoi nga Nju Jorku drejt Uashingtonit këtë javë, për të diskutuar tranzicionin e pushtet me presidentin në largim Barack Obama, ai përdori avionin e tij privat dhe tepër luksoz, të cilin me “përkëdheli” e quan edhe si “T-Bird”.

Por, pas zyrtarizimit të tij si presidenti i 45-të i Amerikës më 20 janar, atij do t’i duhet të heqë dorë nga ky luks i jashtëzakonshëm, me një kinema brenda dhe tualete e rrip sigurimi të veshur totalisht në ar, e të udhëtojë anembanë vendit, por edhe jashtë kufijve të Amerikës me “Air Force One”.

Kjo, sepse avioni presidencial është i pajisur posaçërisht me mjetet e nevojshme, që e lejojnë Komandantin e Përgjithshëm të përdorë një qendër të lëvizshme komandimi, në rast konflikti apo fatkeqësie natyrore. Faktikisht janë vetëm dy avionë “Air Force One”. Ato janë identikë, “Boeing 747”, të cilët përdoren me rotacion në periudha disamujorshe.

“Air Force One” janë avionë “Boeing 747-200B” të përshtatur, të cilët përmbajnë veç të tjerash edhe kodet 28000 dhe 29000. Atyre u janë dhënë edhe emërtime të veçanta “VC-25A” dhe fluturojnë nën një siguri tepër të rreptë. “Air Force One” është i pikturuar me gërmat e shtetit më të fuqishëm në botë “United States of America”, ka një flamur në bisht dhe mban vulën e Presidentit. Ai mund të furnizohet në ajër me një sasi të pakufizuar, si dhe mund të qëndrojë në ajër për shumë orë, nëse i nevojitet në raste krizash të jashtëzakonshme.

Pajisjet elektronike në bordin e “Air Force One” janë projektuar për t’i bërë ballë një goditjeje elektromagnetike, ndërsa është i pajisur edhe me pajisje të përparuara të komunikimit tepër të sigurtë, duke i lejuar atij të veprojë edhe në rast të ndonjë sulmi ndaj Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Trump do të jetë i mbrojtur në bord nga oficerë të Shërbimeve Sekrete, por mund të ftojë në avion edhe këshilltarë politikë, gazetarë dhe të ftuar të tjerë, përfshi këtu padyshim edhe bashkëshorten e tij Melania, sikurse dhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tij.

Megjithatë, ai sërish do të jetë shumë larg luksit me të cilin udhëton shpesh Trump në avionin privat, të cilin shpeshherë e konsiderojnë edhe si “Trump Force One”, i cili ka veshje të drunjtë dhe hapësira të mëdha të mëndafshta, me jastëkë të qëndisur me pemën e tij familjare dhe tualete të mermerta.

“Air Force One” udhëton zakonisht nën shoqërimin e disa avionëve të tjerë shoqërues, të cilët kanë dyqane të shumta, por edhe avionë luftarakë. Presidenti Obama dhe shumë prej paraardhësve të tij kanë preferuar të përdorin një helikopter, të quajtur si “Marine One”, për udhëtime të shkurtra nga Uashingtoni drejt Nju Jorkut për shembull, apo në Camp David, shtëpisë presidenciale të pushimit në Maryland.

Flota ajrore presidenciale operohet nga “89th Airlift Wing”, me bazë në “Andrews Field” të Marylandit. Ndërsa “Presidential Airlift Group”, pjesë e zyrës ushtarake të Shtëpisë së Bardhë, qëndron në krye të “Air Force One”.

FOTO GALERI
1/18

Top Channel