Moti i keq në Itali, shënohen dy viktima dhe 10 të plagosur

07/11/2016 00:00

Moti i keq ka marrë dy jetë njerëzish në Itali. Një vorbull ajri goditi të dielën Ladispolin, në veri të Romës, me një forcë të tillë që çoi në shembjen e mureve të jashtme të dy kateve të një pallati në qendër të vendit.

Ndërtesa më pas u evakua, por një 47-vjeçar indian, Singh Surinder, i ndodhur aty pranë, vdiq prej copave të tullave e gurëve që i ranë në kokë. E vështirë paraqitet situata edhe në Cesano, ku një 74-vjeçar ushtarak në pension vdiq i shtypur nga një pemë. Ndryshe nga Singh, viktima e dytë kishte tentuar të mbrohej nga stuhia, duhe u strehuar në vendin ku parkonte makinën, kur trungu i stërmadh u përplas mbi garazh.

Të plagosurit janë 10, megjithatë, siç raporton shtypi vendas, asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën fatmirësisht. Furia e erës shkatërroi disa dyqane, e veç pemëve rrëzoi edhe shtylla ndriçimi.

Në zonat e prekura ka pasur probleme të trafikut e është ndërprerë përkohësisht edhe qarkullimi i trenave. Autoritetet kanë zgjatur paralajmërimin nga moti i keq për Lacion, duke i përshkruar 18 orët e ardhshme si kritike.

Pemë të rrëzuar, rrugë të mbyllura e vërshime uji raportohen në Romë, ku janë vënë në lëvizje për të dhënë ndihmën e tyre të paktën 20 skuadra vullnetarësh të Mbrojtjes Civile. Ekspertët parashikojnë që stuhia, nga rajonet qëndrore të spostohet gjatë ditës gradualisht në jug të vendit, e flasin për reshje të rrëmbyera shiu në Siçili, Puglia dhe Kalabri.

Top Channel