Trump: FBI ka gjetur burimin e emaileve të Clinton

01/11/2016 00:00

Kandidati republikan për president Donald Trump beson se FBI-ja mund të ketë gjetur burimin e emaileve të rivales së tij Hillary Clinton. Gjatë tubimit të tij të fundit elektoral, atij të mbajtur në Grand Rapids të Michiganit, manjati përcolli shpresën e tij që 33.000 emailet e fshira të kundërshtares demokrate, tani, do të mund të rikuperohen.

“Them se kanë gjetur damarin kryesor të mineralit siç e quajnë në industrinë e minierave. Besoj se do t’i zbulojnë 33.000 emailet e zhdukura”, deklaroi Trump.

FBI-ja arriti të marrë nga gjykata autorizimin për nisjen e hetimeve mbi një sërë emailesh që mund të kenë lidhje me procesin e mëparshëm hetimor, i cili verifikon mënyrën se si Clinton e ka përdorur serverin privat të emailit gjatë kohës kur ishte Sekretare Shteti.

Hetuesit e byrosë arritën disa javë më parë në përfundimin se komunikimi elektronik i zbuluar gjatë verifikimit të ish-kongesmenit Anthony Weiner mund të lidheshin me çështjen hetimore te kandidates demokrate, por ky fakt nuk u bë i ditur deri javën e kaluar, kur kishin mbetur vetëm 11 ditë nga data e zgjedhjeve.

Drejtori i FBI-së James Comey u dërgoi një letër disa figurave të larta në Kongres ku i njoftonte se hetuesit nuk e dinin ende nëse procesi hetimor do të zbulonte ndonjë fakt me rëndësi mbi procesin e Clinton, pasi nuk ishte analizuar ende materiali i zbuluar. Vetë demokratja deklaron se nuk ka asgjë për të fshehur.

Top Channel