Gjermani, neonazisti plagos 4 oficerë policie. Do të kontrollonin shtëpinë për armë

19/10/2016 00:00

Katër oficerë policie kanë mbetur të plagosur, disa prej tyre rëndë, pasi një radikal neonazist ka hapur zjarr ndaj tyre, teksa po përpiqeshin të kontrollonin shtëpinë e tij për armë në Gjermani.

Agresori, 49 vjeç, nisi të shtënat drejt oficerëve të policisë kur ata u shfaqën pranë shtëpisë së tij në Georgensgmünd të Bavarisë, mëngjesin e kësaj të mërkure, pas informacioneve se aty fshiheshin armë.

Raportimet në media thonë se oficerët i janë kundërpërgjigjur të shtënave dhe agresori është plagosur lehtë, ndërsa është transportuar më pas në rajon për t’u marrë në pyetje. 49-vjeçari njihej gjithashtu si një qytetar i “rajhut”, apo “Reichsbürger”.

Këta individë janë kryesisht ekstremistë të djathtë, të cilët nuk e njohin Republikën Federale të Gjermanisë, ndërsa kërkojnë të rikthehen kufijtë e paraluftës të “Perandorisë së tretë”.

Anëtarët e komunitetit “Reichsbürger” nuk njohin as gjykatat apo autoritetet e shtetit modern gjerman, ndërsa janë të lidhur me njëri-tjetrin përmes forumeve të internetit dhe shoqatave ekstremiste të djathta.

Joachim Herrmann, ministri i Brendshëm i Bavarisë, pritet të japë më vonë detaje mbi gjendjen e oficerëve të policisë, si dhe për operacionin e tyre. Një njësi e oficerëve “SEK” të Antiterrorit gjendet e dislokuar gjithnjë në zonën në fjalë, por i dyshuari i fundit duket se e konsideroi si surprizë praninë e tyre te shtëpia e tij.

Autoritetet kanë paralajmëruar vazhdimisht gjatë muajve të fundit se neonazistët në Gjermani po armatosen gjithnjë e më shumë, si dhe po përgatiten të ushtrojnë dhunë në kundërshtimin që duan t’i bëjnë politikës së dyerve të hapura dhe dhënies së azilit për refugjatët.

Nga sa mësohet, agresori në Bavari ka pasur licencë për të mbajtur armë, por duket se është bërë gjithnjë e më i çrregullt nga ana mendore gjatë kohëve të fundit, saqë policia dyshoi se ai mund të përbënte rrezik për komunitetin.

Top Channel